Për hajër, nusja 86 vjeçe tund dasmën (FOTO)
Shumë vite më parë ajo punonte si modele dhe shpesh reklamonte edhe fustane nusesh. E në moshën 86-vjeçare, Millie Taylor-Morrison ka veshur vetë një të tillë. E moshuara është martuar në një ceremoni madhështore me Harold Morrison. Fotot e dasmës janë shpërndarë në internet dhe kanë mahnitur të gjithë. Fotografitë kanë marrë mijëra pëlqime dhe shpërndarje.
Millie ishte martuar një herë në një martesë që zgjati 41 vjet, deri sa ish-bashkëshorti i saj ndërroi jetë. Tashmë një jetë e dytë nis për një ndër nuset më të moshuara në botë. Mbesa e 86-vjeçares, Khadija shkruan në një postim: “Gjyshja Millie gjeti dashurinë pasi bashkëshorti i saj i parë ndërroi jetë 25 vjet më parë. Ne si familje u gëzuam pasi ajo është e lumtur”.
Çifti ka më shumë se 60 vjet që njihet, madje Harold ka qenë i pranishëm në dasmën e parë të Millie-t. Për disa vite ata humbën kontaktin me njëri-tjetrin, por u ritakuan në Nju-Xhersi. Kur Harold u sëmur, ajo e mori në shtëpi dhe u kujdes për të. Çdo ditë të diel ata shkonin bashkë në kishë. “Martesa jonë është një testament që mosha është thjesht një numër dhe se çdo njeri mund ta gjejë dashurinë sërish”, është shprehur e moshuara.