Për herë të parë në histori, një president i bashkohet grevës së punonjësve

Greva e punonjësve të industrisë së prodhimit të makinave hyn në javën e dytë. Kurse Presidenti Joe Biden u bë presidenti i parë amerikan në detyrë që i bashkohet një greve të sindikatave, duke mbështetur punonjësit e linjës së prodhimit të automjeteve në Miçigan ndërsa kërkojnë rritje page prej 40 për qind dhe një javë pune 32 orëshe.

Biden thotë shpesh se sindikatat e punonjësve e ndërtuan Amerikën. Greva e punonjësve të autoindustrisë po hyn në javën e dytë ndërsa kërkojnë paga më të larta dhe një javë më të shkurtër pune si dhe ndryshime të tjera nga drejtuesit e tre gjigandëve amerikanë të prodhimit të automobilave. Biden nuk ka thënë se cilat kërkesa të punonjësve i mbështet, ndërsa është shprehur se i mbështet të drejtat e tyre.

“Vazhdoni grevën, sepse meritoni rritjen e konsiderueshme që ju nevojitet dhe përfitime të tjera. Le të fitojmë atë që kemi humbur. Ne i mbështetëm ata (kompanitë e automobilave). Tani është koha që ata të na mbështesin ne”.

Presidenti i sindikatës së fuqishme të punonjësve të autoindustrisë amerikane e falënderoi zotin Biden. Sindikata që mbështeti kandidaturën e zotit Biden në vitin 2020 ende nuk ka shprehur qëndrimin për zgjedhjet e vitit 2024.

SHKARKO APP