Përdorimi i tepruar i antibiotikëve në luftën ndaj Covid-19, mjekët të ndarë

Mjekët në Maqedoninë e Veriut, në 17 ditët e fundit kanë lëshuar mbi 60 mijë receta të antibiotikëve. Këto të dhëna alarmante i ka siguruar mikrobiologu Nikolla Panovski. Nëse ky trend vazhdon kështu, deri në fund të vitit sipas Panovskit, do të ketë 200 mijë antibiotikë të shitur më shumë sesa vitin e kaluar.

Mjeku Genc Selmani, thotë se situata me përshkrimin e antibiotikëve në këtë periudhë në RMV lidhet me faktin se mjekët e rrethinave janë në pamundësi për të realizuar tamponin tek pacientët, ndaj edhe protokolli i mjekimit ndryshohet. “Kur kemi një bronko pneumoni të mbivendosur rekomandohet antibiotiku, përndryshe jo”, tha mjeku.

Sipas tij, spitalet janë në prag të kolapsit me pothuajse të gjithë shtretërit të zënë, në një kohë që norma e infektimit është shumë e lartë. ”Spitalet janë në prag të kolapsit sa i përket shtretërve. Kjo është njëra anë e fatkeqësisë, ana tjetër është se vetëm në tre javë nga të testuarit dalin mbi 30 për qind të infektuar, që është shifër shumë e lartë. Janë dy raporte të zhdrejta. Infektime shumë të larta dhe spitale të tejmbushura”, tha ai.

SHKARKO APP