Përfitimet nga papunësia në SHBA. Niveli më i lartë në 3 muaj, shenja shqetësuese në tregun e punës

Numri i pretendimeve për përfitimet nga papunësia në Shtetet e Bashkuara kaloi 885,000 në javën e kaluar, që është më i larti në 3 muaj,  sipas të dhënave të Departamentit të Punës.  Ndërkohë që rastet me Covid-19 vazhdojnë të rriten, pretendimet për përfitime të papunësisë janë 4 herë më të larta se përpara pandemisë. Ekonomistët mendojnë se kjo rritje mund të tregojë një shenjë shqetësuese në tregun e punës.

Pavarësisht se faktorët sezonalë mund të ndikojnë tek të dhënat,  ekzistojnë shenja të tjera të ngadalësimit të tregut. Të dhënat treguan gjithashtu se pretendimet për programet shtetërore qëndronin në 5.51 milionë në javën që përfundoi më 5 Dhjetor. Kjo shifër nuk përfshin miliona njerëz që i kanë përdorur këto ndihma, apo që po marrin asistencë nëpërmjet programit federal të ndihmave nga pandemia.   Në javën e fundit të Nëntorit, rreth 9.24 milionë amerikanë morën përfitime të papunësisë nga pandemia.

Nëse Kongresi nuk miraton zgjatjen e programit, të gjithë planet e ndihmave do të përfundojnë në fund të Dhjetorit, duke ndikuar miliona punëtorë amerikanë. Republikanët dhe demokratët në Kongres po negociojnë ende mbi detajet e paketës së re të ndihmave. Shumë ekonomistë shqetësohen se edhe nëse paketa miratohet brenda disa ditëve, fondet do të kërkojnë të paktën 1 muaj që të shkojnë tek ata në nevojë. / SCAN

SHKARKO APP