Përfundon pelegrinazhi i Haxhit, rituali pesëditor zhvillohet me një numër të kufizuar besimtarësh

Pelegrinët myslimanë kanë përmbyllur ritualin pesëditor të Haxhit në Arabinë Saudite. Për shkak të pandemisë numri i besimtarëve që kanë kryer ritin e shënjtë ka qënë shumë I kufizuar.

Është përmbyllur rituali pesëditor i Pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite.

Këtë vit, rituali që është një prej pesë shtyllave të islamit dhe detyrë që duhet ta kryejë një herë në jetë secili mysliman, është zhvilluar me një numër shumë të kufizuar personash për shkak të pandemisë me koronavirus.

Besimtarët mbanin maska mbrijtëse dhe qendronin në distancë nga njëri tjetri.

Vetëm rreth 10 mijw myslimanë kanë marrë pjesë në pelegrinazhin e këtij viti, në krahasim me më shumë se 2 milionë myslimanë të 180 shteteve të botës që kanë qenë zakonisht atje vitet e kaluara.

Në ditën e fundit, pelegrinët me maska kanë hedhur guralecë drejt murit që simbolizon djallin në Mina, afër qytetit të shenjtë Meka.

Por ndryshe nga herët e tjera, autoritetet e Haxhit u kanë ofruar atyre gurë të sterilizuar.

Vendimi për të mos lejuar pelegrinë nga vendet e tjera, përveç atyre në Arabinë Saudite nga kryerja e Haxhit, është i pari në historinë moderne të mbretërisë saudite.

Autoritetet shëndetësore konfirmojnë se asnjë rast me koronavirus nuk është raportuar në vendet e shenjta përgjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, pas përfundimit të ritualit, pelegrinëve do t’iu kërkohet të hyjnë në karantinë të detyrueshme.

SHKARKO APP