Përmbytje vdekjeprurëse në Kinë, të paktën 14 të vdekur, miliona të evakuuar
Prej javësh lindja e Kinës po ndeshet me përmbytje të rrezikshme. Deri më tani autoritetet kanë raportuar për 14 viktima, ndërsa miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë. Niveli i ujit në lumenj dhe liqene kaloi nivelin historik dhe tani rrezikon të përmbytë fabrikat që prodhojnë pajisje mbrojtëse për COVID-19. Nëse ndodh një gjë e tillë, mungesa e pajisjeve mbrojtëse do të ndjehet në mbarë botën.
Kina ngriti nivelin e alarmit nga rreziku i përmbytjeve në lindje të vendit pas disa ditë reshjesh të dendura shiu. Zyrtarët e ngritën në tre nivelin e alarmit në brigjet e lumit Huai. Shirat e dendur kanë përfshirë prej javësh Kinën, kryesisht pjesën jugperëndimore dhe bregdetin lindor.
Të paktën 14 vetë raportohet se kanë vdekur në jug të vendit për shkak të përmbytjeve ndërsa miliona të tjerë janë evakuuar. Autoritetet kanë mobilizuar mijëra trupa për të ndihmuar popullsinë e prekur nga përmbytjet.
“Përmbytjet po ndodhin në të njëjtën kohë në brigjet e lumit Yangtze pranë Nanjing-ut, buzë lumit Huai dhe liqenit Tai … Situata paraqitet shumë e rëndë,” tha ministria e burimeve ujit.
Lumi Huai, 1.100 km i gjatë, kalon nëpër krahinat Henan, Anhui dhe Jiangsu dhe disa qytete të mëdha të vendit, duke përfshirë Fuyang, Xinyang dhe Huainan. Zyrtarët thanë se niveli i ujit në 10 rezervuarë që marrin ujë nga lumi Huai u rrit deri në 6.85 metra.
Kina zakonisht preket nga përmbytje të rënda në muajt e verës për shkak të shirave të dendura, por këtë vit ato i shtohen gjendjes së krijuar nga pandemia e koronavirusit dhe rrezikojnë që të prishin zinxhirin global të furnizimit me pajisje mbrojtëse.
Shumica e pajisjeve mbrojtëse personale të njohura gjerësisht me shkurtim (PPE), prodhohen në fabrika që gjenden kryesisht në bregun lindor dhe të industrializuar të Kinës.