Përplasje diplomatike mes Turqisë dhe Francës, Erdogan: Macron “i çmendur”. Parisi tërheq Ambasadorin

Tensionohen marrëdhëniet mes Turqisë dhe Francës. Parisi vendosi tërheqjen e ambasadorit francez nga Ankaraja zyrtare si reagim diplomatik pas një sulmi verbal të presidentit Erdogan ndaj presidentit francez, i cili e akuzoi Macron për armiqësi ndaj islamit dhe e këshilloi të kontrollojë gjendjen e tij mendore.

Presidenca franceze i konsideroi deklaratat e Erdogan të “papranueshme”.

“Ambasadori u tërhoq për këshillime me presidentin. Me këtë synohet të dërgohet “një sinjal i fortë” drejt Ankarasë. Humbja e masës dhe pagdhendshmëria nuk janë metoda. Erdogan duhet të ndryshojë kursin e tij politik, sepse “ai është në çdo kuptim i rrezikshëm””, theksohet nga presidenca franceze.

Presidenti turk Erdogan duke folur në shtunën në një kongres të partisë së tij, AKP në Kayseri në Anadollinë Qendrore, ngriti shqetëesimin për rritjen e armiqësisë kundër islamit në Europë.

Si shembull ai ju referua edhe presidentit Macron, që pas vrasjes së mësuesit Samuel Paty para një javë i shpalli luftë islamizmit radikal në Francë.

Por Erdogan nuk u mjaftua me kaq, duke e kthyer në akuza personale.

“Çfarë problemi ka ky person me emrin Macron me islamin dhe myslimanët”, pyeti Erdogan në kongres.

Macron duhet “të kontrollojë gjendjen e tij mendore”, shtoi Erdogan.

Samuel Paty u vra nga një nxënës me rrënjë ruso-çeçene, pasi kishte treguar në orën e mësimit karikaturat e profetit Mohamed për të ilustruar temën e lirisë së mendimit.

Macron gjatë ceremonisë së lamtumirës për mësuesin tha se “ne nuk do të heqim dorë nga karikaturat dhe skicat”.

Pas sulmit vdekjeprurës kundër mësuesit, autoritetet franceze kanë ndërmarrë disa aksione kundër shoqatave të dyshuara se i përkasin spektrit islamist apo janë të afërta me të. Atentatori vetë u qëllua pak pas vrasjes së mësuesit.

Ismamizmi nuk është e vetmja temë që dy shtetet kanë kundërshti mes tyre. Macron e akuzon presidentin Erdogan për përzierje masive në konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë në rajonin e Nagorni-Karabakut, që ka disa javë që ka shpërthyer. Sipas Macron, Ankaraja zhvendos luftëtarë xhihadistë nga Siria për të mbështetur Azerbajxhanin.

Edhe në konfliktin për kërkimet për gaz në Detin Mesdhe, Macron ka dërguar paralajmërime ndaj Erdoganit. Franca përforcoi mbështetjen për Greqinë dhe Qipron duke ofruar edhe prezencën e saj ushtarakë në rajonin detar.

SHKARKO APP