Përplasjet për origjinën e koronavirusit, OBSH: Nëse SHBA ka prova që koronavirusi u prodhua në Kinë, le t’i publikojë!

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka cilësuar spekulative i ka cilësuar akuzat e SHBA-ve se koronavirusi e ka origjinën në një laborator nga qyteti Wuhan i Kinës. OBSH-ja tha se nuk ka marrë prova nga SHBA-ja që e mbështesin pretendimin e tillë. “Nuk kemi pranuar ndonjë të dhënë apo provë specifike nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara në lidhje me origjinën e supozuar të virusit. Kështu që nga këndvështrimi ynë, ky pretendim mbetet spekulativ”, tha drejtori për emergjenca pranë OBSH-së, Michael Ryan.

Mes të tjerash ai bëri thirrje që hetimet rreth origjinës së virusit të “bazohen në shkencë” dhe jo në politikë. Komentet vijnë një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se “ka sasi të konsiderueshme të provave” se koronavirusi ka dalë nga një laborator i Wuhanit, edhe pse nuk dha më shumë detaje.

Transmetuesi shtetëror i Kinës i kritikoi ashpër komentet e Pompeos, duke i cilësuar ato si “të çmendura”. CCTV tha përmes një raporti se pretendimi i Pompeos se “është një gënjeshtër e plotë”. Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Wuhan të Kinës në fund të vitit të kaluar dhe, që atëherë, janë përhapur në mbi 180 vende të botës. COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, ka prekur mbi 3.5 milionë njerëz në botë dhe ka vrarë afro 250,000.

SHKARKO APP