Personeli mjekësor bashkohet në demonstratat kundër juntës ushtarake
Duke sfiduar shtypjen ushtarake të Mianmarit, protestuesit kundër grushtit të shtetit zhvilluan një tubim në Mandalay në orët e para të mëngjesit të së dielës për të shmangur konfrontimet e mëdha me forcat e sigurisë dhe policisë.
Punonjësit e sektorit shëndetësor, përfshi mjekët, infermieret, studentët e kësaj fushe dhe farmacistët të veshur me bluza të bardha, u bashkuan me protestuesit pro-demokracisë në marshimin gjatë natës duke u gdhirë e diela. Ata brohorisnin dhe mbanin parulla ku shkruhej “Mbroni udhëheqësen tonë”, “Mbroni të ardhmen tonë”, duke iu referuar ish-udhëheqëses de fakto Aung San Suu Kyi. Zonja Suu Kyi dhe udhëheqës të tjerë të zgjedhur në rrugë demokratike mbeten të ndaluar që nga 1 shkurti.
Qyteti Mandaly ka qenë një qendër kryesore e opozitës kundër juntës ushtarake. Protesta të tjera u zhvilluan në shtetin Kachin, në veriun e largët të Mianmarit deri në jug të vendit, ndërsa demonstruesit mbanin në dorë qindra qirinj të ndezuar në orët e errëta të natës.
Të shtunën, forcat e sigurisë së Mianmarit dhe policia përdori përsëri forcën për të shtypur protestat kundër juntës ushtarake në mbarë vendin, ndërsa shtohen kritikat botërore lidhur me dhunën kundër protestuesve të shkaktuara nga grushti i shtetit. Sipas njoftimeve lokale dhe ndërkombëtare të shtypit, protestuesit u shpërndanë në pjesën veriore të Mianmarit pas përdorimit të armëve të zjarrit dhe bombave tymuese. Demonstratat pati gjithashtu në ish-kryeqytetin Yangon. /VOA/