Pesë viktima gjatë protestave në Mianmar

Policia në Mianmar ka hapur zjarr ndaj protestuesve më 28 shkurt, duke vrarë të paktën katër persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Kjo është dita më e përgjakshme në protestat që po mbahen kundër puçit ushtarak.

Një grua po ashtu ka vdekur nga një sulm i dyshuar në zemër, pasi policia shpërndau një protestë të mësuesve në qytetin Yangon, duke përdorur granata tymi.

Mianmari – që ndryshe njihet edhe si Birmani – është në kaos që prej 1 shkurtit, kur ushtria mori pushtetin dhe arrestoi lideren e zgjedhur, Aung San Suu Kyi si dhe lidershipin e partisë së saj.

Liderët ushtarakë kanë pretenduar se ka pasur mashtrime në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, ku partia e Suu Kyisë ka fituar.

Puçi ushtarak ka ndërprerë përpjekjet drejt demokracisë të Mianmarit, që ka qenë nën sundimin ushtarak për 50 vjet.

Që prej grushtit të shtetit më 1 shkurt, qindra-mijëra persona kanë dalë në protesta në mbarë vendin.

Policia më 28 shkurt ka përdorur plumba gome, granata tymuese dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në mbarë vendin. Ushtria po ashtu ka ndihmuar policinë gjatë protestave./ REL

SHKARKO APP