Pfizer dhe Moderna, vaksinat me dy doza janë shumë efikase tek të moshuarit
Një studim i ri tregon se vaksinat e Pfizer dhe Moderna reduktojnë riskun e shtrimit në spital me 94% tek personat 65-vjeç e sipër që kanë marrë dy doza. Kjo çon në pakësimin e vdekjeve dhe problemeve post covid. “Po shohim që në grupin e të moshuarve, numri i shtrimeve në spitale dhe vdekjeve po zbret shumë poshtë. E gjitha si rezultat i vaksinimit.”, u shpreh Fauci.
Doktor Fauci thotë se akoma ka një shifër të konsiderueshme të infeksionit në SHBA, por rastet janë në ulje. Zyrtarët shpresojnë që kjo të nxisë më shumë amerikanë që të vaksinohen. “Nëse shifrat zbresin edhe më shumë, gjë të cilën besoj se do e arrijmë teksa vaksinojmë më shumë njerëz, atëherë shumë shpejt do të shohim lehtësim të kufizimeve”.
Tre vaksinat anti-covid të përdorura në SHBA aktualisht, kanë autorizim përdorimi emergjent nga Administrata për Ushqimet dhe Ilaçet. Fauci shpreson që shumë shpejt të jepet një aprovim i plotë.