Pfizer, marrëveshje me SHBA për 100 milion vaksina shtesë
Kompanitë Pfizer dhe BioNTech, mësohet se do të furnizojnë SHBA me 100 milionë doza shtesë të vaksinës, sipas një marrëveshjeje të dytë të arritur mes palëve. Kompanitë farmaceutike, nënvizojnë se shpresojnë që të gjitha dozat të jenë dorëzuar deri më 31 korrik. Firma Pfizer tashmë ka një kontratë për të furnizuar qeverinë me 100 milionë vaksina të saj, e cila kërkon nga dy doza për pacient. Sipas marrëveshjes prej gati 2 miliardë dollarësh të njoftuar të mërkurën, kompanitë do të dorëzojnë të paktën 70 milionë doza shtesë deri më 30 qershor, ndërsa 30 milionë të tjera, jo më vonë se 31 korriku. Qeverisë i lihet gjithashtu mundësia për të blerë deri në 400 milionë doza shtesë. Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Alex Azar tha në një deklaratë se marrëveshja mund t’u japë njerëzve besim “se ne do të kemi furnizim të mjaftueshëm për të vaksinuar deri në qershor 2021 çdo amerikan që dëshiron të vaksinohet.”
Vaksina e firmës Pfizer ishte e para që mori autorizimin për përdorim urgjent nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe javën e kaluar nisi dërgimi i sasive të para. Tani asaj i është shtuar vaksina e firmës Moderna, e cila është krijuar në bashkëpunim më të ngushtë me shkencëtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Vaksina e Modernës, e cila gjithashtu kërkon dy doza, prodhohet në suazën e një përpjekjeje të qeverisë, të quajtur Operacioni “Warp Speed”. Kjo përpjekje publike-private u ndërmor për të pasur miliona doza vaksinash të gatshme, sapo të merrej miratimi i Administratës së Barnave dhe Ushqimeve. Media ”Associated Press”, njoftoi më parë se qeveria amerikane është pranë arritjes së një marrëveshjeje të re me kompaninë Pfizer, e cila si shkëmbim do të ketë më shumë qasje ndaj materialeve që duhen për prodhimin e vaksinës.
Një ligj, që e ka fillesën që nga koha e Luftës së Koresë, i jep qeverisë autoritetin t’u kërkojnë firmave private të prodhojnë mallra me rëndësi kritike në periudha emergjencash kombëtare. Ligji i njohur me emrin Akti i Prodhimit për Mbrojtjen, pritet të shërbejë si bazë për të ndihmuar firmën Pfizer të sigurojë disa lëndë të para që janë të nevojshme për vaksinën e saj. Pfizer kishte nënshkruar një kontratë për të furnizuar qeverinë me 100 milionë doza të vaksinës së saj, por zyrtarët qeveritarë kanë thënë se ajo është më tepër një marrëdhënie ku palët nuk kanë detyrime të veçanta ndaj njëra-tjetrës dhe ku qeveria nuk ka shumë informacion për operacionet e kompanisë. Pfizer do të marrë rreth 2 miliardë dollarë të tjera për marrëveshjen e dytë.
“Me këto 100 milionë doza shtesë, Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të mbrojnë më shumë individë dhe shpresojmë që t’i japin fund sa më shpejt kësaj pandemie shkatërrimtare”,-tha kreu ekzekutiv i firmës Pfizer Albert Bourla në një deklaratë. “Ne shpresojmë të vazhdojmë punën me qeverinë dhe me institucionet e kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin,” tha ai. Vaksina e krijuar nga firma Pfizer dhe kompania gjermane BioNTech kanë shtuar shpresat për të luftuar pandeminë e cila ka shkaktuar vdekjen e gati 320,000 njerëzve në SHBA dhe që ka sjellë dëme për një pjesë të mirë të ekonomisë. Punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe shtëpitë për të moshuarit ishin të parët në listën e vaksinimeve.
Pas dështimeve të fillimit përsa i përket testimeve për Covid-19, zyrtarët e administratës Trump shpresojnë të shkruajnë një kapitull të fundit shumë të ndryshëm me vaksinat. Operacioni Warp Speed ka financuar krijimin, prodhimin dhe shpërndarjen e miliona dozave, për të siguruar vaksinimin falas për çdo amerikan që e dëshiron atë. Operacioni Warp Speed pritet të sigurojë rreth 40 milionë doza vaksinash deri në fund të këtij muaji, nga të cilat rreth 20 milionë do të jepen për vaksinimet e para që do të vazhdojnë deri në javën e parë të janarit. Si vaksina e kompanisë Pfizer ashtu edhe ajo e Modernas kërkojnë dy doza për të bërë efekt të plotë.
/VOA/