Piramida më e vjetër në botë nuk është në Egjipt

Një artikull që po krijon bujë dhe pretendon se një strukturë e gjetur në Indonezi është piramida më e vjetër në botë, ka ngritur shumë pikëpyetje dhe kritika nga disa arkeologë që duan të kuptojnë më shumë rreth saj. Hulumtimet sensacionale arrijnë në përfundimin se ekziston një piramidë e vendosur nën vendin prehistorik të Gunung Padang në Javan Perëndimore të Indonezisë, e cila mund të jetë ndërtuar 27,000 vjet më parë.

Kjo do ta bënte atë shumë më të vjetër se piramida e parë egjiptiane, e ndërtuar 4600 vjet më parë dhe nënkupton gjithashtu se i paraprin vendit më të vjetër të njohur megalitik në Göbekli Tepe në Turqi, i cili u ndërtua rreth 11,000 vjet më parë. Dhe sigurisht, do të rishkruante plotësisht atë që dimë për qytetërimin njerëzor në atë zonë.

“Piramida u bë një simbol i qytetërimit të përparuar të asaj periudhe antike. Nuk është e lehtë për të ndërtuar piramida. Kërkohen aftësi të larta murature ” thotë bashkëautori i artikullit Danny Hilman Natawidjaja, një gjeolog në Agjencinë Kombëtare për Kërkim dhe Inovacion (BRIN) në Bandung, Indonezi.

Janë pikërisht këto pohime që kanë surprizuar shumë studiues. Lutfi Yondri, një arkeolog në BRIN në Bandung, Indonezi, thotë se kërkimet e tij kanë treguar që banorët e rajonit kanë jetuar në shpella midis 12,000 dhe 6,000 vjet më parë, shumë kohë pas ndërtimit të supozuar të piramidës, dhe asnjë gërmim i asaj periudhe nuk ka zbuluar dëshmi të ndërtimit të sofistikuar të muraturës prej guri.

“Jam i befasuar që artikulli u botua ashtu siç është,” thotë Flint Dibble, një arkeolog në Universitetin e Kardifit në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas studiuesit, edhe pse punimi paraqet “të dhëna realiste”, përfundimet për vendndodhjen dhe moshën nuk janë të justifikuara.

Sipas studimit, Gunung Padang përbëhet nga pesë tarraca guri që formojnë shkallë, me mure mbajtëse dhe shkallë lidhëse, të gjitha në majë të një vullkani të zhdukur. Midis viteve 2011 dhe 2014, Natawidjaja dhe kolegët studiuan vendin duke përdorur teknika të ndryshme të vëzhgimit të tokës për të përcaktuar se çfarë fshihet poshtë tarracave të dukshme. Ata identifikuan katër shtresa, të cilat, sipas studiuesve, përfaqësojnë faza të veçanta të ndërtimit. Shtresa më e brendshme është një bërthamë llave e ngurtësuar, e cila është “skalitur me përpikëri”. Shtresat e mëvonshme të shkëmbinjve “të renditur si një mur me tulla” u mbivendosën mbi shtresën e vjetër.

Shtresat ishin të datuara me karbon, duke përdorur mostra të nxjerra nga një bërthamë e shpuar në kodër. Faza e parë e ndërtimit ndodhi midis 27,000 dhe 16,000 vjet më parë. Shtesa të tjera u bënë midis 8,000 dhe 7,500 vjet më parë, dhe shtresa përfundimtare, duke përfshirë tarracat e dukshme me shkallë, u vendos midis 4,000 dhe 3,100 vjet më parë.

Dibble argumenton se nuk ka prova të qarta që shtresat e varrosura janë ndërtuar nga njerëzit, por mund të jenë rezultat i aktivitetit natyror dhe lëvizjes së shkëmbinjve me kalimin e kohës. “Materiali që rrokulliset poshtë një kodre, orientohet vetë”. Por Natawidjaja përgjigjet se gurët në formë kolone ishin shumë të mëdhenj dhe të rregullt për t’u rrokullisur aty ku shtrihen: “Natyra e rregullt, në formë dhe masive e shkëmbinjve të tillë, disa prej të cilëve peshojnë deri në 300 kilogramë, përjashton mundësinë e transportit natyror mbi distanca të konsiderueshme”.

Një zë tjetër kundërshtar vjen nga Bill Farley, një arkeolog në Universitetin Shtetëror të Konektikatit në New Haven, i cili thotë se studimi nuk ka dhënë asnjë provë për ekzistencën e një qytetërimi të përparuar gjatë epokës së fundit të akullit. Mostrat e tokës 27,000-vjeçare të Gunung Padang, megjithëse datohen me kujdes, nuk kanë asnjë shenjë dalluese të aktivitetit njerëzor, të tilla si mbetje qymyr druri ose fragmente kockash. E sigurt është se e gjithë kjo të kujton shumë historinë e “piramidave boshnjake”, të cilat, sipas Semir Osmanagić, u ndërtuan rreth 12.000 vjet më parë, por që hasën në kundërshtimin e komunitetit arkeologjik dhe gjithçka përfundoi në asgjë.

SHKARKO APP