Plani amerikan dhe ai evropian për paqen në Ukrainë: Dallimet thelbësore
Një plan paqeje me 28 pika nga administrata Trump për përfundimin e luftës në Ukrainë është kritikuar si tepër i favorshëm për Rusinë. Ndërkohë, një kundërpropozim evropian është më në përputhje me dëshirat e Ukrainës, raporton CNN. Mes dy planeve ka disa dallime thelbësore.
Në aspektin territorial, plani amerikan parasheh që Luhansku, Donetsku dhe Krimea e pushtuar të njihen de facto si territore ruse, përfshirë edhe nga SHBA. Ai gjithashtu propozon ngrirjen e statusit të Khersonit dhe Zaporizhzhia-s përgjatë vijës së kontaktit. Krejt ndryshe, drafti evropian, sipas Reuters, kërkon që Ukraina të zotohet të mos i rimarrë territoret e pushtuara me forcë ushtarake, ndërsa negociatat për shkëmbime territoriale do të fillonin nga Vija e Kontaktit.
Sa i përket zgjerimit të NATO-s, drafti amerikan përfshin një dispozitë që bllokon zgjerimin e mëtejshëm dhe kërkon që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi. Propozimi evropian i heq këto dispozita, duke deklaruar se anëtarësimi i Ukrainës varet nga konsensusi i anëtarëve, duke e lënë derën hapur. Lidhur me ushtrinë, plani i SHBA-së kufizon Forcat e Armatosura të Ukrainës në 600,000 persona, ndërsa plani evropian sugjeron një kufi prej 800,000 në kohë paqeje. Të dy draftet nuk kërkojnë shkurtime për ushtrinë ruse.
Për zgjedhjet e ardhshme, drafti i SHBA-së kërkon që Ukraina të mbajë zgjedhje brenda 100 ditëve pas nënshkrimit të marrëveshjes, një afat që analistët e konsiderojnë jopraktik. Drafti evropian është më fleksibël, duke thënë se zgjedhjet duhet të mbahen “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Duhet theksuar se ekzistojnë versione të tjera të tekstit evropian të raportuara në media, të cilat ndryshojnë nga kopja e Reuters. Edhe plani amerikan mund të ketë evoluar pas diskutimeve në Gjenevë. Së fundmi, Sekretari i Ushtrisë Amerikane, Dan Driscoll, zhvilloi takime me zyrtarë rusë në Abu Dhabi dje për një plan të propozuar për t’i dhënë fund luftës, konfirmoi një zyrtar amerikan për CNN.
KOHA JONË SONDAZH

