Planifikonin sulm ndaj policëve, arrestohen dy adoleshëntë në Belgjikë
Dy të rinj janë arrestuar në Belgjikë pasi sipas autoriteteve po organizonin një sulm me thikë ndaj policëve.
RTBF publikon se një 16-vjeçar dhe një 17-vjeçar kishin regjistruar veten duke u betuar për besnikëri ndaj ISIS-it. Ata u ndaluan të shtunën në qytetin Eupen, pranë kufirit me Gjermaninë.
Belgjika ka qenë edhe më parë shënjestër e ISIS-it, kur në mars të vitit 2016 disa kamikazë vranë 32 persona dhe plagosën 340 të tjerë në disa shpërthime në aeroportin e Brukselit dhe në një stacion metroje në kryeqytetin belg.
Në maj të vitit 2018, një burrë i radikalizuar vrau dy policë dhe një student në një tjetër sulm të marrë përsipër nga ISIS.
Mbrëmjen e së martës, një sulm terrorist tronditi Vjenën, ku një 20-vjeçar i quajtur Kujtim Fejzulau vrau 4 persona dhe la 22 të plagosur. Ai u vra 9 minuta pasi nisi sulmin për të cilin mori përgjegjësi ISIS.