Po e humb Gjermania kontrollin mbi pandeminë?
Disa dhjetëra mijëra infektime, qindra të vdekur në ditë nga Corona. Në Gjermani situata e pandemisë po bëhet dramatike, zërat për një mbyllje të plotë të jetës publike edhe para krishtlindjeve janë shtuar.
Gjermania që konsiderohej si nxënësja shembullore në Europë për shkak të menaxhimit të mirë të pandemisë, tani po përballet jo vetem me shifra të larta infektimesh me virusin Corona, por edhe të vdekjeve. Instituti „Robert Koch” bëri të ditur të shtunën më shumë se 28.000 infektime në ditë, kurse numri i vdekjeve është rritur me 496 vetë. Masat e marra në nëntor qartazi nuk e arritën efektin e tyre. Tani për shkak të shifrave në rritje të infektimeve janë rritur kërkesat, që të kufizohet jeta publike edhe para krishtlindjeve.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier e cilësoi situatën „shumë serioze”. „Nëse si tani do të vazhdojnë të infektohen dhjetëra mijëra vetë me virusin, nëse vdesin qindra vetë në ditë nga virusi, atëherë kjo do të thotë, se urgjentisht ne duhet të forcojmë përpjekjet tona në luftë kundër pandemisë.” „Kemi nevojë për një përgjigje të përgjithshme gjermane”, tha edhe kryeministri i landit Renani Veriore-Vestfali, Armin Laschet të premten në Dyseldorf. „Ne nuk duam një mozaik në të gjithë Gjermaninë, ku secili land ndjek rrugën e vet.”
Mbyllje e plotë, për shkollën vendosin prindërit
Në Gjermani flitet për një mbyllje deri më 10 janar, në të njëjten kohë duhet të mënjanohen blerjet masive. Detyrimi për shkollën do të mbetet, por do të hiqet detyrimi për mësimin me prezencë në shkollë. Që nga e hëna faktikisht prindërit mund të vendosin në landin me popullsinë më të madhe në Gjermani, Renani Veriore-Vestfali nëse do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë apo do t’i lenë në shtëpi.
Të dielën kancelarja gjermane, Merkel dhe kryeministrat e landeve do të debatojnë për mënyrën e veprimit të mëtejshëm në kuadër të pandemisë. Me shumë gjasa pritet një mbyllje e jetës publike, ajo që diskutohet është koha, kur duhet të fillojë ajo dhe sa do të zgjasë. Para konsultimeve të federatës dhe landeve, ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmeier kërkoi që të veprohej shpejt edhe para krishtlindjeve. „Gjendja e pandemisë është përshpejtuar shumë keq në tre ditët e fundit. Ne jemi sërish në një fazë të rritjes eksponenciale dhe po shohim, se repartet e parat të trajtimi intensiv po arrijnë kapacitetet e trajtimit”, tha Altmeier për rrjetin redaksional „Deutschland”. Nuk mund të presim deri në kohën e krishtlindjeve, tha ai. „Duhet të sqarojmë tani, si duhet vepruar, ndryshe humbasim kontrollin mbi pandeminë.”
Kush nuk e do mbylljen e plotë?
“Ajo që është e qartë, është se edhe tregtia e pakicës duhet të mbyllet. Ne duhet të kufizojmë maksimalisht kontaktet”, tha kryeministrja e landit të Pomeranisë-Meklenburgut, Manuela Schwesig. Kurse eksperti socialdemokrat për shëndetësinë, Karl Lauterbach tha se “kemi nevojë që në javën e ardhshme për një mbyllje të fortë në të gjithë federatën përfshirë edhe mbylljen e shkollave”, tha ai për “Rhenische Post”. Ndërkohë që tani disa lande kanë vepruar. Kryeministri i landit Baden-Vyrtemberg, Winfried Kretschmann ka vendosur që nga e shtuna kufizime të përgjithshme për daljen edhe gjatë ditës. Saksonia fillon nga e hëna një lockdown të plotë. E diela do të vendosë, si do të veprohet më tej./ DW