Polonia investon 75 milionë euro për mbrojtjen e kufirit me Rusinë
Polonia ka planifikuar vendosjen e kamerave të sigurisë dhe detektorëve lëvizës në të gjithë kufirin lindor, për shkak të kërcënimeve ndërkombëtare të sigurisë si rezultat i luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë.
Ky investim i mbrojtjes elektronike arrin vlerën e 75 milionë eurove, ndërsa është planifikuar të hyjë në funksion në shtator të vitit 2023, shkruan gazeta “Rzeczpospolita”.
Me këtë, Polonia ka planifikuar të ndërtojë një barrierë të madhe elektronike në kufirin rus, për të marrë nën mbrojtje kufirin prej 200 kilometrash.
Kufiri do të pajiset me masa të ndryshme sigurie elektronike si, një sistem detektor, duke përfshirë senzorë sizmikë dhe kamera të natës, për të verifikuar sinjalet hyrëse, shkruan gazeta.
Sipas zyrtarëve, do të përdoren algoritme të veçanta për të dalluar hapat e individëve nga zërat e shkaktuar nga kafshët e egra.
Polonia është përpjekur të parandaloje kontrabandën duke instaluar një sistem të ngjashëm në kufirin me Ukrainën disa vite më parë.