Post-Brexit, javë kyç për bisedimet

Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe janë ende larg marrëveshjes së re tregtare kur po afron 31 dhjetori apo fundi i periudhës tranzitore të post-Breksitit.

E hëna shënoi nisjen e një jave kyç bisedimesh në Bruksel. Rezultatin e takimeve me ministrin e kabinetit britanik, Majkëll Gov, e sqaroi gjatë ditës zv.presidenti i Komisionit Europian për marrëdhëniet ndërinstitucionale, Marosh Sefçoviç.

“Mbeten ende shumë problematika të vështira për t’u zgjidhur. Pozicionet e Britanisë janë larg atyre që pranon BE-ja. Drafti ligjor i qeverisë britanike për tregjet e brendshme përsëritim se duhet tërhequr para fundshtatorit. Nëse miratohet në formën aktuale, do shkelte seriozisht marrëveshjen e përbashkët për shkëputjen dhe ligjin ndërkombëtar.”

Pala britanike me ligjin e brendshëm të miratuar në parim këtë muaj kërkon që nëse Londra dhe Brukseli nuk arrijnë marrëveshjen për tregti të lirë dypalëshe brenda 31 dhjetorit, vendi të mos rikthejë kufijtë doganorë mes provincës së Irlandës Veriore dhe shtetit fqinj, Irlandës.

Kjo bëhet për të mos rihapur edhe një herë plagët e konfliktit të vjetër nacionalist mes tyre.

“Në Bashkimin Europian ka nga ata që janë shqetësuar me klauzolat e ligjit tonë për tregtinë e brendshme. Dhoma e Deputetëve ka rënë dakord se ato janë vetëm një lloj garancie. Por për interesat e Bashkimit Europian, të Britanisë dhe të popullit të Irlandës Veriore, ne jemi zotuar të punojmë çdo sekondë, çdo minutë dhe çdo orë,” u shpreh ministri Gov.

Edhe shefja e Komisionit Europian, Ursula Fon der Lajen, ka bindjen se Londra dhe Brukseli kanë ende mundësi të arrijnë kompromis për marrëveshje të reja tregtare dhe politike.

“Ne e duam marrëveshjen për Breksitin dhe jemi të bindur se ajo është e mundur, ndaj bëjmë thirrje për përgjegjësi, sepse ekonomitë e të dyja palëve janë goditur rëndë nga pandemia dhe duhet të bëjmë gjithçka mundemi që të mos e rritim më tej impaktin negativ në ekonomitë tona.”

Qeveria britanike i ka lënë afat deri më 15 tetor negociatorëve të Brukselit për të gjetur pikat e përbashkëta si mund ta zhvillojnë tregtinë e lirë dypalëshe.

Pas shkëputjes nga blloku europian më 31 janar, Britania synon marrëveshje për pavarësi mbi zonat ekskluzive ekonomike dhe konkurrencë të plotë me kompanitë simotra europiane.

SHKARKO APP