Presidenca franceze e BE-së, Macron: Finalizojmë busullën strategjike
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen dhe kolegji i komisionerëve gjatë vizitës këtë të premte në Paris, shenjuan nisjen zyrtare të presidencës gjashtëmujore franceze të Këshillit. Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidentja Ursula Fon Der Leyen e cilësuan ambicioze axhendën për bllokun 27 anëtarësh, duke thënë se viti 2022 duhet të jetë një pikë kthese për Europën.
”Blloku do të finalizojë këtë semestër të ashtuquajturën busull strategjike të BE-së, strategjinë e saj gjeopolitike që fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes. Kjo do të na lejojë të kemi një pozicion të përbashkët evropian në NATO dhe të veprojmë së bashku në një mënyrë më të koordinuar. Në vijim do të mbajmë një numër samitesh për të trajtuar problematikat kryesore. Në mars do të jetë ai i mbrojtjes, po ashtu do të kemi një takim për Ballkanin dhe të tjera çështje”,-tha Macron.
Presidentja e KE-së, Ursula Fon Der Leyen, u shpreh se nën drejtimin e Francës do të merret mbështetja e nevojshme për të cuar përpara agjendën e parashtuar të këtyre gjashtë muajve në vijim.
”Franca po merr një detyrë shumë të rëndësishme në një kontekst sfidues me pandeminë e koronavirusit që nuk ka përfunduar ende. Por kjo nuk do të na pengojë që ti japim vëmendjen e merituar një sërë çështjesh të tjera që na shqetësojnë. Zëri i Evropës është i fortë dhe i fokusuar dhe ne jemi të përkushtuar në punën tonë. Duam të jemi efektivë në aspektin ekonomik dhe të drejtë në aspektin social”.