Presidenti i Brazilit: Herët a vonë të gjithë do prekemi nga COVID-19!
Qeveria në Brazil kundërshtoi ligjin që detyron mbajtjen e maskës mbrojtëse, në çdo ambient publik, në hapësira të mbyllura apo në grupe të mëdha, teksa Brazili po dështon prej javësh në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, dhe shifrat rriten çdo ditë e më shumë.
Vetë brazilianët duket se nuk e kanë marrë seriozisht këtë situatë, pasi përshëndeten e përqafohen kudo. Vetë presidenti Bolsonaro, i cili është vënë në qendër të akuzave pasi e quajti koronavirusin një grip të vogël e pasi tha se e shkuara e tij si atlet e ka bërë imun ndaj virusit, përballet tashmë me një presion në rritje nga guvernatorët e kryebashkiakët e vendit, të cilët kërkojnë rihapjen e ekonomisë.
“Kishim disa sugjerime për ligjin që tashmë e refuzuam, që e bënte mbajtjen e maskës të detyrueshme kudo, edhe brenda në shtëpi. Unë e kundërshtova këtë. Nuk mund t’i vëmë njerëzve gjoba brenda në shtëpi. Kështu, edhe unë do gjobitesha sepse jam pa maskë”, tha presidenti brazilian.
Brazili është vendi i dytë me numrin më të lartë të të infektuarve në botë, me më shumë se 1.5 milionë raste dhe shifrat pritet të rriten teksa baret, restorantet apo palestrat u hapën ndërsa betejën me Covidin e kanë humbur mbi 60 mijë vetë.