Presidenti Macron mesazh në drejtim të aleancës: NATO është duke përjetuar “vdekje të trurit”
Presidenti francez Emanuel Macron e ka përshkruar NATO-n si një organizëm truri i së cilës është duke vdekur, duke shpjeguar se ai sheh një shpërfillje përgjegjësie alarmante kundrejt organizatës nga vetë garantorja e saj, SHBA-të.
I intervistuar nga prestigjiozja “The Economist”, ai ka cituar dështimin e SHBA-së për tu konsultuar me NATO-n përpara se të tërhiqte trupat nga Siria Veriore.
Ai gjithashtu hodhi edhe disa hije dyshimi nëse anëtarët e NATO-s ishin ende të angazhuar për mbrojtje kolektive.
“Ajo se çfarë po përjetojmë në këto momente është “vdekja e trurit” të një organizmi si NATO” – zoti Macron u shpreh për revistën britanike.
Ai paralajmëroi anëtarët e BE-së se ata nuk mund të mbështeten më tek SHBA-ja për të mbrojtur aleancën, e cila u themelua në fillimin e Luftës së Ftohtë, për të rritur mbrojtjen e sigurisë së Europës Perëndimore dhe SHBA-ve.
Neni Pesë i Kartës themeluese të NATO-s përcakton se një sulm ndaj një anëtari do të sjellë një përgjigje kolektive nga aleanca.
Por, zoti Macron u duk i pasigurt kur u pyet nëse ky nen ishte akoma i vlefshëm në ndërhyrjen e Sirisë: “Unë nuk e di më” – tha ai.
Aleanca, citohet të thotë presidenti francez, “funksionon vetëm nëse garantuesi i zgjidhjes së fundit funksionon si i tillë. Unë do të argumentoja se ne duhet të rivlerësojmë realitetin e asaj që është NATO në dritën e angazhimit të Shteteve të Bashkuara”.
Udhëheqësi francez i kërkoi Evropës që të fillojë të mendojë për veten si një “fuqi gjeopolitike” për të siguruar që do të mbajë “nën kontroll” e fatin e saj.