Presidenti maqedonas bën thirrje për zgjedhje të ndershme, të lira dhe demokratike dhe një fushatë dinjitoze dhe të sigurt

Dalja në votimet më 15 korrik, sipas kryeministrit Oliver Spasovski, nuk nënkupton rrezik për shëndetin e qytetarëve. Kryeministri ftoi të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje të respektojnë masat dhe protokollet e institucioneve shëndetësore.

“E drejta e qytetarëve për të shfrytëzuar votën e tyre, nuk do ta rrezikojë shëndetin e tyre. Bazohem te epidemiologët të cilët theksojnë se procesi i votimit nuk i ekspozon qytetarët në rrezik, nëse i respektojnë masat. Në vendvotim vonohemi 3 deri 5 minuta që është më shkurt se shkuarja në market ose në treg. Është e rëndësishme ta kuptojmë se duhet t’i mbajmë maskat dhe të mbajmë distancë” – tha Oliver Spasovski, kryeministër.

Ndërkohë, Presidenti Stevo Pendarovski u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor që të kontribuojnë që këto zgjedhje të jenë të drejta, të lira dhe demokratike, dhe partitë politike të organizojnë një fushatë në të cilën pjesëmarrja do të jetë e sigurt për të gjithë, si për kandidatët ashtu dhe për qytetarët.

“Të gjithë pjesëmarrësit në proces të ndikojnë që zgjedhjet të jenë të drejta, të lira dhe demokratike, me fushatë në të cilën pjesëmarrja do të jetë e sigurt për të gjithë, edhe për kandidatët edhe për qytetarët, me dinjitet dhe gjithëpërfshirëse. Institucionet kompetente të punojnë në mënyrë profesionale, në përputhje me parimet e përgjegjësisë, barazisë dhe paanshmërisë. Qytetarët të dalin dhe të votojnë sipas bindjes së tyre, pa frikë dhe presione dhe të vendosin vetë për cilin opsion do ta japin votën dhe besimin e tyre” – shkroi në FB Stevo Pendarovski, President.

Presidenti u bëri thirrje mediave për raportim të drejtë dhe objektiv, pasi pandemia do të ndikojë në reduktimin e kontakteve direkte mes kandidatëve dhe qytetarëve.

SHKARKO APP