Presidenti Trump aktivizon ligj të veçantë për të luftuar koronavirusin
Presidenti amerikan, Donald Trump po aktivizon Ligjin për Prodhimin e Mbrojtjes, që do t’i jepte mundësinë administratës së tij që të detyrojë industrinë amerikane të prodhojë artikuj mjekësorë që janë në sasi të pamjaftueshme, në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.
Mungesa e paisjeve mbrojtëse dhe mjekësore, ndërsa Shtetet e Bashkuara i përgjigjen pandemisë së koronavirusit.
Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave është aktivizuar në nivelin më të lartë në gjithë vendin.
Të mërkurën, Presidenti Donald Trump shkoi edhe një hap më tej.
“Do të aktivizojmë Ligjin për Prodhimit e Mbrojtjes, në rast se na duhet”, tha ai.
Ligji parashikon autoritet presidencial për të përshpejtuar dhe zgjeruar sasinë e burimeve nga baza industriale e vendit për të mbështetur mbrojtjen kombëtare.
“I jepet përparësi atyre materialeve që janë të nevojshme për të luftuar virusin. Maskat për shembull janë shqetësim. Dhe nëse ka një prodhues maskash mjekësore, qeveria mund të shkojë tek prodhuesi dhe t’i thotë se i duhet dhënë përparësi prodhimit të këtyre maskave”, thotë Mark Cancian, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Presidenti Trump njoftoi gjithashtu për dislokimin e dy anijeve të marinës amerikane, Comfort and Mercy. Anijet janë si spitale dhe shpesh dislokohen për ndihmë humanitare për katastrofa natyrore.
“Ka rreth 1 mijë dhoma. Ka salla operacioni. Dhe presidenti do ta dërgojë anijen Comfort në portin e Nju Jorkut. Sigurisht, ky do të jetë një hap i jashtëzakonshëm”, tha givernatori i Njo Jorkut, Andrew Cuomo.
Comfort po i nënshtrohet mirëmbajtjes dhe do të dislokohet në Nju Jork në javët e ardhshme. Mercy do të dislokohet, diku në Bregun Perëndimor në ditët në vazhdim.
Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper njoftoi se spitalet ambulante të ushtrisë amerikane, po përgatiten për dislokim … dhe se departamenti i tij do të vërë në dispozicion deri në 5 milionë maska N95 dhe paisje të tjera personale mbrojtëse.
“Një milion maska do të vihen në dispozicion menjëherë. Më pas, jemi gato t’i dorëzojmë Departamentit të Shëndetësisë deri në 2 mijë ventilatorë, sipas nevojave”, tha ai.
Administrata ka në plan të mobilizojë Korpusin e Inxhinierëve të Ushtrisë për të krijuar objekte të reja mjekësore në përgjigje të epidemisë, një plan që ka nevojë për mbështetjen e sektorit privat.
“Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë mund të ndihmojë me rritjen e numrit të oficerëve me aftësi të veçanta për të ndihmuar në ekonominë civile, por ata vetë nuk sjellin ndonjë aftësi ndërtimi”, thotë eksperti Cancian.
Ndërkohë në kryeqytetin amerikan, stacionet e metrosë janë pothuajse të zbrazëta, ndërsa autoritetet i nxisin banorët të rrinë në shtëpi sa më shumë të jetë e mundur.
/VOA/