Presidenti turk sulmon ashpër: Macron ka “vdekur klinikisht”

Parisi dhe Ankaraja janë përplasur diplomatikisht pak ditë para samitit të NATO-s javën e ardhshme.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan përdori të premten gjuhë të ashpër ndaj homologut, Emanuel Makron, duke ngritur dyshime mbi përvojën dhe gjykimet e tij.

Reagimi erdhi pas qëndrimeve të Makronit kundër ofensivës anti-terror të Turqisë në Siri dhe komenteve se NATO-ja është e lodhur e ka pësuar “vdekje klinike” pse nuk u koordinua për ta ndalur.

“Disa shtete që e kanë zakon të mos marrin përsipër rreziqet dhe që gjithmonë fitojnë, nuk i tolerojnë dot përpjekjet e Turqisë në mbrojtje të të drejtave, ligjeve, kufijve dhe sovranitetit të saj. Komentet e fundit të presidentit francez janë veçanërisht të sëmura e të cekëta. Po i adresohem z. Makron nga Turqia por do ia them edhe në NATO: kontrollohuni ju i pari se mos keni “vdekur klinikisht”,” deklaroi presidenti 65-vjeçar nga Stambolli.

Qëndrimet e tij u përcollën menjëherë nga Ministria e Jashtme e Francës e cila thirri ambasadorin turk në vend për të dhënë shpjegime.

Të jemi të qartë, kjo nuk është deklaratë, është fyese. Këto qëndrime të papranueshme nuk kanë vend në raportet turko-franceze dhe nuk e zëvendësojnë dialogun e nevojshëm mes nesh,” njoftoi ministria franceze.

Marrëdhëniet mes dy kryerwve, të Francës dhe Turqisë pritet të sqarohen javën e ardhshme në Britani, ku ata dhe liderët e tjerë do të festojnë 70-vjetorin e formimit të aleancës së Atlantikut Verior.

SHKARKO APP