Profil/Jeta publike dhe private e kryeministrit të ri francez

Nga Mentor HOXHA (Paris)

Dita e premte shënoi dy ngjarje të mëdha politike në Francë. Në mëngjezin e së premtes, Kryeministri francez, Edouard Philippe i dorëzoi dorëheqjen e parevokueshme, Presidentit francez, Emmanuel Macron në kuadër të rikompozimit të Qeverisë të paralajmëruar nga Kreu i Shtetit. Presidenti e miratoi menjëherë dorëheqjen po të premten dhe pas disa orësh dekretoi Kryeministrin e ri, 55 vjeçarin, Jean Castex, nëpunës i lartë civil, i cili hartoi politikën për lehtësimin e masave të izolimit gjatë pandemisë në Francë. Një vendim i befasishëm, kur emri i tij mezi ishte përmendur ditët e fundit, përpara se të merrte vëmendje në orët e fundit. Kryetar i Komunës së Prades që nga viti 2008, nga dje kryeministër, tashmë do të duhet të lërë vendin e tij komunal për t’u bashkuar me Parisin. Pas marrjes së detyrës në ora 17.30 nga paraardhësi i tij, kryeministri i ri deklaroi se qeveria e re do të jetë gati deri të hënën. Për të verifikuar integritetin e anëtarëve të ardhshëm të Qeverisë, Macron dhe Castex mund të kërkojnë informacione nga Autoriteti i Lartë për transparencën e jetës publike, nga autoritetet tatimore dhe një ekstrakt nga procesverbali penal. Po cila është karriera politike dhe jeta private e Kryeministrit francez të sapozgjedhur.

KUSH ËSHTË JEAN CASTEX, KRYEMINISTRI I RI FRANCEZ?

Swiss Digital Desktop Reklama

Jean Castex është 55 vjeç. U lind më 25 qershor 1965 në Gers. Gjyshi i tij, Marc Castex, ishte senator-kryetar i fshatit Vic-Fezensac, të qytetit të vogël Gers dhe Jean u rrit me admirim për gjyshin e tij. I diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë dhe mban gradën master. Më pas studioi në IEP Paris dhe u dIplomua në ENA (1991).
I martuar me zonjën Sandra Ribelaygue me të cilën ka katër vajza, e fundit 1 vjeç. Bashkëshortja e tij 49 vjeçare është një katalonase e pastër sipas informacioneve në CV-në e saj. Ashtu si bashkëshorti, edhe Ribelaygue ka gjetur vendin e saj në botën politike. Është shumë aktive në politikë dhe sapo është zgjedhur në këshillin bashkiak të komunës së Valcebollère (Pyrenees Lindore) pas zgjedhjeve të fundit komunale, duke fituar me 97.29% të votave. Në këtë fshat, babai i tij ka qenë kryetar që nga viti 2014. Pas emërimit të bashkëshortit në postin e Kryeministrit, Sandra duhet të largohet familjerisht nga detyra për t’u vendosur në rue de Varenne duke lënë kështu qetësinë e jug-perëndimit.
Kryeministri i sapozgjedhur francez, Jean Castex nuk ka një kostum të mirëfilltë politikani, por nuk është as personazh i panjohur për publikun francez. Nuk ka qenë asnjëherë ministër, deputet, apo kryebashkiak në ndonjë qytet të madh dhe të rëndësishëm, por njihet si zyrtar i lart publik. Ka një jetë profesionale dhe politike të orientuar kryesisht në sektorin shoqëror dhe shëndetin. Deri në momentin që u bë kryeministër, karriera e tij u formua në shërbimin e lartë civil. Me reputacionin se ishte një “njeri në hije” nuk ka dhënë ndonjë intervistë për emërimin e tij të mundshëm si Kryeministër, duke u betuar se do të ishte plotësisht i përkushtuar për misionet e tij aktuale, por që i njeh në mënyrë të përkryer veprimet e pushtetit. Njihet si një zyrtar shumë i matur, i zoti dhe i dalluar në detyrat civile dhe politike që ka mbajtur në dhjetë vitet e fundit. Ky politikan 55-vjeçar me origjinë nga Gers ka punuar me disa Presidentë dhe Kryeministra të forcave të ndryshme politike. Ka patur detyra të rëndësishme politike dhe civile me dy presidentë dhe dy qeveri të ndryshme. Ka punuar me ish presidentin republikan Nicolas Sarcozy dhe dhe ish Kryeministrin Xavier Bertrand, dhe së fundmi me Presidentin Macron dhe ish Kryeministrin Philippe.
Në Qeverinë paraardhëse, Castex u bë shumë i njohur në skenën politike franceze, pasi menazhoi me sukses kontrollin nga coronavirusi COVID-19. Ai ishte në krye të Misionit të Kontrollit gjatë gjithë krizës shëndetësore që tronditi Francën dhe mbarë botën. Ishte përgjegjës i menaxhimit të Rihapjes së Francës nga izolimi tre mujor. U emërua në këtë detyrë më 2 prill nga kryeministri paraardhës, Philippe. Si delegat ndërministror/përgjegjës për strategjinë e daljes nga izolimi, ai hartoi politikën për lehtësimin e masave të izolimit gjatë pandemisë. Ishte ai që studioi rrugën për të dalë nga kriza shëndetësore duke ideuar kalendarin e rimëkëmbjes ekonomike dhe kornizën legjislative që shoqëronte kthimin e francezëve në punë dhe në jetën shoqërore. Për momentin, plani i tij në disa faza nuk kundërshtohet nga një valë e dytë epidemike apo nga kritikët. Kjo e vendosi atë menjëherë në një pozitë të fortë në opinionin publik dhe e bëri të njohur si “Déconfinement Monsieur”. Ai e përfundoi me sukses këtë mision dhe puna e tij u konsiderua mjaft e suksesshme nga qeveria dhe francezët.
Gjatë periudhës së kësaj krize shëndetësore, ai mori një rëndësi të konsiderueshme në strukturën organizative të Qeverisë, deri në atë pikë sa disa e quanin “Zëvendës Kryeministër”, kurse sipas kryeministrit Philippe, Jean ka qenë “jashtëzakonisht i efektshëm”. Për aftësinë e tij për të dëgjuar dhe respektin e tij për bashkëbiseduesit e tij, ai di si të bashkojë dhe mobilizojë njerëzit rreth tij. Gjatë mandatit Presidencial të Nicolas Sarkozit, Castex ka qenë këshilltar i Presidentit për çështjet sociale (2010) dhe ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i Pallatit Élysée (2011- 2012).
Karrierën politike e nisi që në vitin 1993 kur u emërua si Sekretar në Komitetin Ndërlidhës midis Gjykatës së Auditorëve dhe Dhomave Rajonale të Llogarive. Në janar të vitit 2005 i’u bashkua Ministrisë së Shëndetësisë dhe Solidaritetit dhe punoi për disa vite së bashku me ish kryeministrin Xavier Bertrand. Ka qenë Drejtor i spitalit në Ministrinë e Solidaritetit (2005-2006) dhe dy herë drejtor i kabinetit të Xavier Bertrand; në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Solidaritetit (2006-2007) dhe në Ministrinë e Punës (2007-2008). Ka qenë kryetar i Drejtorisë së Spitalit dhe Organizatës së Kujdesit (DHOS). Në mars të vitit 2008 u zgjodh kryetar i Komunës së Prades me siglën UMP dhe pas dy vitesh bëhet Këshilltar Rajonal për Languedoc-Roussillon. Në nëntor të vitit 2010 anëtarësohet në Kabinetin e Presidentit të Republikës, Nicolas Sarkozy. Në vitin 2011 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës, një pozicion që e mbajti për më shumë se një vit dhe Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm në Presidencë, ku mbeti deri në maj të vitit 2012. Nga viti 2010 deri në 2015 ka qenë Këshilltar rajonal i Languedoc-Roussillon dhe këshilltar i përgjithshëm i Pyrénées-Orientales për pesë vjet. Ka qenë anëtar i republikanëve dhe mbështeti kandidaturën e François Fillon për Presidencën e UMP gjatë kongresit të vjeshtës 2012. Nga viti 2017 e deri në fillim të vitit 2020 ishte delegat ndërministror në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike në Paris 2024 dhe në prill të vitit 2019 u emërua Kryetar i Agjencisë Kombëtare të Sporteve. Në vitin 2018 emri i tij qarkullon për herë të parë për të zëvendësuar Gérard Collomb, i cili dha dorëheqjen si ministër i Brendshëm, por u zgjodh ish socialisti Christophe Castaner. Në raundin e parë të Zgjedhjeve Komunale 2020 që u zhvilluan më 17 mars u rizgjodh Kryetar i Komunës së Prades ((Pyrénées-Orientales) me 76% të votave. Gjithashtu ka qenë delegat ndër-sektorial në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike në Paris 2024. Më 2 prill 2020, iu bashkua Ministrisë së Shëndetësisë dhe më 3 prill u zgjodh Kryeministër. Njihet si një njeri i disponueshëm, i këndshëm dhe i qëndrueshëm dhe ka njohuri të shkëlqyera për dosjet që shqyrton. Ka menaxhuar dosje delikate, përfshirë shërbimin në transport dhe reformën e planeve të posaçme të pensioneve.
Karriera e tij politike drejt postit të kryeministrit nisi në prill të këij viti, dy javë pas izolimit të Francës nga Covid-19. Për të përballuar situatën e vështirë postpandemike, Kryeministrit Philippe i duhej një menaxhues dhe një njohës i shkëlyqyer i sektorit shëndetësor, padyshim midis tyre spikaste kryeministri aktual. Në këtë periudhë, Castex ishte kryetar i komunës së Prades që nga viti 2008. Teksa më 2 prill po drejtonte një takim të ekipit të tij komunal nga Zoom merr një telefonatë nga Kryeministri, Edouard Philippe, i cili i thotë; “Do na duhesh”. Castex nuk heziton për asnjë sekondë dhe më 6 prill fillon punë në Elisse si koordinator i Strategjisë Kombëtare të Dekonfinimit post-koronavirus. Suksesi në këtë detyrë i dha kredite të forta politike në Qeveri dhe Presidencë dhe shërbeu si katapultë drejt kreut të ekzekutivit. Si një zyrtar i lartë që e njeh botën e shëndetit në mënyrë të përkryer ai pas dy ditësh nga emërimi ndërtoi një mini-shtet duke marrë pranë vetes paraardhësit e tij më të mirë të sektorit shëndetësor: dy ish-drejtorë të përgjithshëm të shëndetësisë (Benoît Vallet dhe Didier Houssin, me të cilët kishte punuar kur ishte drejtor i kabinetit të Xavier Bertrand në ministri), prefekt në pension, një ish shef spitali, kolonel. Pastaj një duzinë teknikë të rinj, të detyruar të punojnë sipas dëshirës. Të gjithë organet e mëdha të Republikës ishin atje: Këshilli i Shtetit, Gjykata e Llogarive, Inspektoriati i Financave etj. “Kryeministri, Philippe kishte besim të madh tek ai, pasi sipas tij, Jean është një njeri i misionit, i besimit, një shërbëtor i madh i Shtetit, i cili ka aftësi të shumëfishta,” rrëfeu një mik i ngushtë i Edouard Philippe në Le Monde. Këto aftësi kanë joshur dukshëm Kreun e Shtetit, Macron për ta përzgjedhur si kryeministër.
Në vitin 2018, ai që përshkruhet si një përfaqësues “i vërtetë” i zgjedhur në terren dhe për pak sa nuk hyri në qeverinë e Edouard Philippe. Claude Guéant , i cili e njihte atë në Pallatin Elysée kur ishte Sekretar i përgjithshëm nën presidencën e Nicolas Sarkozy – tha për të në “Le Monde” se Jean është një “ekspert i shkëlqyeshëm për çështjet sociale”.

Swiss Digital Mobile Reklama

LOTË , EMOCIONE DHE TAKIME ME BËRRYLA GJATË TRANSFERIMIT TË PUSHTETIT

Dje në mbrëmje u bë transferimi i pushtetit midis kryeministrit në ikje, Edouard Philippe dhe atij në ardhje, Jean Castex. I shoqëruar nga Philipe, Castex mbërriti në ora 17.30 në Hôtel de Matignon, ku u prit nga stafi dhe iu dorëzua detyra e lartë shtetërore nga paraardhësi. Me një buzëqeshje, të dy shtetarët e gjetën veten në tapetin e kuq. Ndërsa të gjithë prisnin shtrëngimin e dorës tradicionale ndërsa dilnin nga makina, Kryeministri i vjetër dhe i ri u kënaqën me një përshëndetje nga larg. Një skenë atipike, por e pashmangshme për shkak të epidemisë Covid-19, e cila është ende e egër në Francë, kështu që përshëndetën me bërryla njëri-tjetrin. Transferimi i kompetencave midis dy burrave të shtetit u krye pa revolucion dhe nën qilimin e kuq dhe të mikrofonave në oborrin e Matignon. Gjatë dorëzimit të detyrës, Philippe tha se “vendi ka nevojë për një mendje të hapur dhe një dorë të fortë”, ndërsa kryeministr Castex u shpreh se dëshironte “më shumë se kurrë për të bashkuar Kombin” përballë krizës ekonomike dhe sociale që është “tashmë atje” me koronavirus. “Prioritetet do të duhet të zhvillohen. Prandaj, metodat do të duhet të adaptohen”, -tha ai duke shtuar se “një fazë e re po fillon”.

PSE U DORËHOQ ISH KRYEMINISTRI DHE CILA ËSHTË E ARDHMJA E TIJ POLITIKE

Ishte, kryeministri, Philippe, është ai që e mori në kabinetin e tij kryeministrin aktual dhe tani është pikërisht, Philippe që duhet largohet nga personi që e afroi pranë vetes. Një moment i rëndësishëm për dy burrat që tashmë e njohin shumë mirë njëri-tjetrin pasi kanë bashkëpunuar së bashku muajt e fundit. Pas dorëzimit të detyrës, ish kryeministri, falënderoi këshilltarët dhe stafin e Matignon, ku disa prej të cilëve shpërthyen në lotë. Më pas ai u largua nga Matignon ku kishte jetuar për tre vjet, i shoqëruar me duartrokitje të përzemërta, nën sytë e gruas së tij dhe djalit të tij të madh.
Rikonstrukturimi i Qeverisë ishte parlajmëruar nga Kreu i Shtetit që para raundit të dytë të Zgjedhjeve Vendore 2020 që u zhillua të dielën. Humbja e partisë së Macron dhe triumfi i socialistëve dhe ekologjistëve e bëri të paevitueshëm këtë rikonstrukturim, edhe pse kryeministri Philippe fitoi bindshëm në qytetin e tij. Disa ditë pas zgjedhjeve lokale, Presidenca doli me një njoftim që lajmëronte rikompozimin e qeverisë, por nuk saktësonte nëse kryeministri në detyrë do mbante postin që kishte apo do kishte post ministror. Në këto rrethana, Edouard Philippe, i rizgjedhur të dielën e kaluar si kryebashkiak i “Le Havre”, nuk kishte rrugë tjetër veç dorëheqjes së parevokueshme. Pranimi i menjëhershën i dorëheqjes dhe emërimi pas disa orësh i Kryeministrit të ri nga Macron, dëshmon për një plan të detajuar mirë nga Presidedenti. Pallati Elysee njoftoi disa minuta më vonë se një “Kryeministër i ri” do të emërohej në Matignon atë ditë”. Largimin e tij pas zgjedhjeve, e kishte kuptuar edhe Philippe, prandaj vendosi të kandidojë si kryebashiak në Le Havre, bashkinë që kishte drejtuar para se bëhëj kryeministër, të cilën e rifitoi me lehtësi.
Edouard Philipe qëndroi në detyrën e kryeministrit për tre vite me radhë. U emërua në këtë detyrë në vitin 2017 nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili sapo kishte fituar mandatin e parë presidencial dhe unë sapo kisha mbushur një vit në Francë. Nga dita e emërimit më 2017 e deri deri në mbrëmjen e djeshme kur u largua nga vila qeveritare, ish kryeministri im do mbetet për mua dhe për francezët si një njeri i thjeshtë dhe i qeshur që punoi me gjithë shpirt për Francën dhe kombin francez. Philippe fitoi një popullaritet të lart në publik, sidomos gjatë periudhës së pandemisë. Këtë e dëshmoi edhe fitorja e tij e madhe për postin e Kryetarit të Bashkisë së Le Havre. Edouard Philippe tani do të kthehet në Le Havre, qyteti ku u rizgjodh kryetar të dielën e kaluar me 58.83 përqind të votave, por, ndërkohë është ngarkuar nga Kreu i Shtetit, Macron për të punuar për “konsolidimin e shumicës” në prag të Zgjedhjeve Presidenciale 2022.

KRYEMINISTRI I RI, BASTI I MACRON PËR ZGJEDHJET PRESIDENCIALE 2022

Reformat e ashpra, por të domosdoshme të ndërmarra nga Presidenti Macron dhe Partia e tij shkaktuan pakënaqësi të mëdha tek francezët, sidomos reforma e shumëdebatuar e pensioneve, e cila shkaktoi greva të fuqishme dhe të pambarimta, ku veçohet greva e gjatë e Jelekverdhëve. Shkatërrimin më të madh ekonomisë franceze dhe jetës sociale ia dha kriza shëndetësore nga coronavirusi covid-19 që ka marrë rreth 30 mijë jetë francezësh. Të gjitha këto kanë çuar në rënien e popullaritetit të Presidentit dhe të partisë së tij. Kjo gjë që u pasqyrua në Zgjedhjet Komunale të së dielës, ku partia e Macron doli e treta dhe nuk fitoi asnjë nga bashkitë e mëdha, ndërkohë që socialistët dhe të gjelbërit fituan kryeqytetin francez, Parisin dhe pothuaj të gjitha qytetet dhe metropolet e mëdha. Disfata e partisë së Macron dhe fitorja spektakolare e socialistëve dhe ekologjistëve e bënë të paevitueshme formatimin e Qeverisë. Fitorja bindëse e ish Kryeministrit, Philippe në Le Havre nuk mund ta ndalonte këtë rikompozim, kështu që Presidenti zgjodhi teknokratin sarkozist dhe ish republikan, Jean Catex. Partia Republikane, së cilës i përkiste, kryeministri i sapoemëruar, ndonëse nuk fitoi asnjë qytet të madh doli e para në zgjedhjet vendore të së dielës, kështu që Castex mund të shërbejë si një urë lidhëse midis partisë së Macron dhe Republikanëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Një aleancë e Partisë së Macron me Republikanët e Sarkozit do ndalonte vrullin socialist-ekologjik dhe do t’i krijonte shanse presidentit Macron për një mandat të dytë presindencial. Emërimi i Jean u pranua unanimisht nga deputetët e partisë së Macron dhe u përkrah gjerësisht edhe nga kampi republikan, ku mjaft republikanë të spikatur vlerësuan aftësitë e kryeministrit të ri. Menjëherë pas nominimit si kryeministër, Jean foli në telefon me Sarkozin. Sipas analistëve, ky mik i ngushtë i Nicolas Sarkozy, kombinon njohuri për terrenin dhe mjeshtërinë e punës së brendshme të administratës, ka asete të çmuara për administrimin e periudhës delikate të daljes nga kriza. Sipas AFP-së, “Jean është një njeri me rrjete të shumta të njohura për aftësitë e tij ndërnjerëzore dhe efikasitetin e tij”. Me reputacionin se është efikas, kryeministri i ri duhet të jetë një besnik i Emmanuel Macron. “Ai punon me shpejtësinë e dritës dhe mban një qetësi të admirueshme”, -raporton një ish-ministër i Xavier Bertrand, i cili vlerëson “natyrën e tij të mirë”, “empatinë” e tij dhe “përulësinë e tij.
Presidenca e paraqet Jean Castex si “njeriun e dekonfinimit të suksesshëm” i cili “thirret në një moment kritik në krizën shëndetësore”. Pas dekretimit të emrit të tij për formimin e kabinetit të ri qeveritar, Pallati Elysee u shpreh; “Jean Castex është emëruar kryeministër për të zëvendësuar Edouard Philippe. Ai do të jetë përgjegjës për formimin e qeverisë së re të dëshiruar nga Emmanuel Macron për të paracaktuar “një rrugë të re” në përgatitjen e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022. “Ai është një shërbyes i lartë civil i plotë dhe i gjithanshëm, i cili do të jetë i prirur të reformojë shtetin dhe të zhvillojë një dialog paqësor me territoret,”. Ai është njeri i “i njohur për punën përmes dialogut dhe me një frymë uniteti”, ai “do të jetë në gjendje të zbatojë rindërtimet e përmendura nga Shefi i Shtetit”. Sipas Élysée, “ky njeri, i cili “ka punuar me Xavier Bertrand, Nicolas Sarkozy dhe Eudouard Philippe”, “vjen nga e djathta por ai është një Gaullist shoqëror”. Ai është “i përgatitur në mënyrë të përsosur në misteret e Parisit dhe një ekspert për realitetet lokale dhe territoriale”, “i cili ndërthur përvojën në shërbimin e lartë civil. Ky është një kontrast i rëndësishëm në periudhën e rindërtimit të shumtë që po hapet”. Në fillim të mbrëmjes, Emmanuel Macron e mirëpriti atë të “hartojë rrugën e re” dhe shkroi këto radhë në twiter; Mirësevini në @JeanCastex i cili tani është përgjegjës për udhëheqjen e qeverisë. Së bashku, ne do të përshkruajmë rrugën e re që i propozova francezëve. – Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) 3 korrik 2020.
Emërimi i tij “është një zgjedhje makroniane, në përputhje me frymën e tejkalimit të kryer nga presidenti për tre vjet”, shpjegon presidenca. Presidenti, Emmanuel Macron, vuri në dukje se midis tij dhe francezëve kishte një frakturë. Ai kishte nevojë për një njeri që e pajton me të gjitha llojet e partnerëve sepse ne do të përballemi me një krizë të tmerrshme. Sipas Kreut të Shtetit, vendimi është pjesë e një riorganizimi qeveritar, por vëzhguesit thonë se zëvendësimi i Philippes, i cili është më i popullarizuar në publik sesa Presidenti, mund të provokojë një bixhoz të rrezikshëm politik për Macronin, pasi ish-kryeministri mund të dalë si një rival presidencial në vitin 2022.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?