Protesta për lirimin e opozitarit rus, tubimet shtrihen në 60 qytete

Policia ruse po arreston mbështetësit e udhëheqësit të burgosur të opozitës, Alexei Navalny, ndërsa ata dolën në rrugët e më shumë se 60 qyteteve ruse të shtunën për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të kritikut të Kremlinit, duke sfiduar masat e marra nga policia për të penguar protestat, të cilat janë shpallur të paligjshme.

Protestat filluan në Lindjen e Largët dhe në Siberi, duke përfshirë qytetet Vladivostok, Khabarovsk dhe Chita, në të cilat sipas mbështetësve të Navalny, po marrin pjesë me mijëra veta.

Në Khabarovsk, një qytet rus në kufi me Kinën, rreth 8 mijë kilometra në lindje të Moskës, protestuesit u përleshën me policinë që po përpiqej të parandalonte tubimin.

Bashkëpunëtorët e Navalny në Moskë dhe gjetkë në Rusi, janë arrestuar tashmë që para tubimeve.

Policia ka paralajmëruar mbështetësit e opozitës por edhe gazetarët e pavarur kundër mbulimit të protestave.

Universitetet ruse u kanë thënë studentëve që të mos marrin pjesë në tubimet në mbështetje të Navalny, disa duke i kërcënuar ata me masa disiplinore, përfshirë përjashtimin.

Protestat e së shtunës janë të parat të organizuara nga mbështetësit e Navalny që kur u kthye nga Gjermania, ku po shërohej nga helmimi me një agjent nervor. Ai u arrestua menjëherë me të arritur në Moskë.

SHKARKO APP