Protestat e fuqishme, Erdogan quan komunitetin LGBT dhe studentët ”terroristë”
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, thotë se lëvizja LGBT nuk është në linjë me vlerat e Turqisë dhe i ka krahasuar me “terroristë” studentët që kanë protestuar nëpër qytetet turke kundër rregullit të tij.
Më shumë se 300 studentë dhe mbështetës të tyre janë ndaluar në Stamboll dhe Ankara për shkak të dhunës në rritje gjatë përballjeve me policinë. Protestat kanë shpërthyer pasi Erdogan ka emëruar besnikun e tij partiak, Melih Bulu, në krye të Universitetit Bogazici, në fillim të këtij viti.
Ky emërim ka zemëruar studentët, të cilët e kanë konsideruar këtë vendim si pjesë të përpjekjeve të Erdoganit për të centralizuar kontrollin në përditshmërinë e turqve. Erdogan ka bërë kritika të ashpra të mërkurën ndaj lëvizjes që rrezikon të kthehet në sfidë të madhe për udhëheqësinë e tij 18-vjeçare.
“A jeni studentë apo terroristë që guxoni të bastisni dhomën e rektorit? Ky shtet nuk do të jetë vend ku triumfojnë terroristët. Ne nuk do ta lejojmë kurrë këtë. LGBT, nuk ekziston një gjë e tillë. Ky shtet është i moralshëm dhe do të vazhdojë drejt së ardhmes me këto vlera”,-tha Erdogan.