Protestat paralizojnë Barcelonën
Demonstratat për lirimin e liderëve separatistë nuk kanë të ndalur në rajonin spanjoll të Katalonjës. Përleshjet me policinë kanë çuar në arrestimin e mbi 130 personave prej ditës së hënë, ndërsa protestuesit janë të vendosur të vijojnë aksionin.
Kryeqyteti i rajonit gjysmë autonom spanjoll të Katalonjës vijon për të pestën ditë radhazi.
Protestat nisën nga një vendim i Gjykatës së Lartë spanjolle për të dënuar 9 liderë katalonas për një referendum për vetëvendosje që u mbajt në vitin 2017 pa miratimin e Spanjës.
Të premten turma e protestuesve të maskuar flakën gurë dhe objekte ndaj policisë speciale, dhe u vunë zjarrin koshave të plehrave në bulevardin e Barcelonës.
Forcat e rendit reaguan me plumba gome, gaz tymues e lotsjellës, dhe makina ujëhedhëse.
Rreth 60 persona mbetën të plagosur në të gjithë rajonin verilindor të Spanjës.
Ministri i brendshëm në detyrë i Spanjës njoftoi se në këto pesë ditë, autoritetet kanë bërë të paktën 130 arrestime ndërsa disa prej demonstruesve më të revoltuar rrezikojnë deri në 6 vite burg.
Gjatë ditës, rreth gjysmë milion qytetarë mbajtën një grevë të përgjithshme duke marshuar paqësisht.
Në duar mbanin fotot e 9 liderëve separatistë të burgosur ndërsa lëshonin njëzëri slogane për lirimin e tyre dhe pavarësimin e rajonit nga Spanja.
Rrugët kryesore u bllokuan për shkak të trafikut ndërsa trenat dhe aeroportet operuan me orare të shkurtuara.
Katalonja ka 7,5 milionë banorë me gjuhën, parlamentin dhe flamurin e tyre, dhe shumica duan të shkëputen politikisht dhe ekonomikisht nga Spanja.