Protestë gjigante për të kërkuar dorëheqjen e Lukashenkos
Një numër shumë i madh demonstruesish pritet të mblidhen sot në Bjellorusi për të kërkuar dorëheqjen e presidentit Aleksander Lukashenko, gati një muaj pas zgjedhjeve tepër të diskutueshme.
Opozita ka bërë thirrje që protestuesit të mblidhen pasdite në Sheshin e Pavarësisë, në manifestimin e ashtuquajtur “Marshi për bashkimin”, me demonstrata të ngjashme të planifikuara gjithashtu në qytete të tjera bjelloruse.Demonstratat e së dielës së kaluar kanë tërhequr qindra mijëra njerëz, megjithë ndalimin e organizimeve të tilla.
Protestuesit bëjnë thirrje jo vetëm për dorëheqjen e Lukashenkos, por edhe për lirimin e të burgosurve politikë, zgjedhje të reja dhe ndjekjen penale të trupave policore për dhunën e ushtruar.
Lukashenko deri tani ka shmangur çdo dialog me opozitën. Ai pretendon se ka fituar zgjedhjet e 9 gushtit.