Protestuan kundër masave të koronavirusit, mbi 100 të arrestuar në Gjermani
Policia në Gjermani ka arrestuar mbi 100 persona, pasi kanë dalë të protestojnë kundër masave të Covid-19 të ndërmarra nga qeveria.
Edhe pse autoritetet kishin ndaluar me ligj grumbullimet masive, kanë qenë disa persona, që kanë protestuar, duke u mbledhur në sheshin kryesor të Berlinit. Qeveria ka urdhëruar që të mos lejohet që më shumë se 20 njerëz të mblidhen në një vend, e po ashtu të respektohet distancimi social, raportojnë mediat europiane.
Mirëpo, duket se në këtë protestë të pazakontë, nuk është respektuar as njëra e as tjetra normë. Protestuesit mendojnë se ka kaluar gjendja e jashtëzakonshme dhe se jeta duhet të kthehet në normalitet. Policia arrestoi 105 vetë, të cilët janë dërguar në komisariat.
Gjermania numëron deri tani 152 438 persona të infektuar me koronavirus, kurse ka deri tashmë 5500 viktima nga Covid-19.