Protestuesit e Hong Kongut, terapi me akupunkturë e kupa për dhimbjet
Protestuesit e Hong Kongut frekuentojnë klinika mjekësore sekrete për trajtimin e dhimbjeve, pasi druhen se mund të zbulohet identiteti i tyre. Një grup mjekësh vullnetarë ofrojnë terapi me akupunkturë dhe kupa për traumat e pësuara në protestat që vijojnë prej 4 muajsh.
Protestuesit në Hong Hong, të cilët prej më shumë se katër muajsh, vuajnë pasojat e gazit helmues dhe goditjet e policisë, e kanë të pamundur të marrin ndihmë mjekësore në spitalet shtetërore pasi i druhen arrestimeve.
Për këtë arsye ata frekuentojnë në fshehtësi klinikat tradicionale kineze të akupunkturës ku kryejnë trajtime për traumat e pësuara.
Një grup mjekësh praktikantë ofrojnë vullnetarisht këtë shërbim për protestuesit.
“Unë mendoj se është shumë e tmerrshme që ne nuk mund të trajtohemi nga mjekët në spital, dhe nuk e dimë se cilës klinikë mund t’i besohet,” tha Fung, një mjek praktikant 24-vjeçar, duke shtuar se ekziston mundësia që doktori që ju ofron shërbimin në spital ta dërgojë raportin në polici.
Trajtimi më popullor mbetet akupunktura dhe kupat të cilat ndihmojnë në qetësimin e muskujve dhe plagëve.
Për dëmtime të tjera të rënda, rreth 50 mjekë të trajnuar në fusha të ndryshme janë në dispozicion përmes një rrjeti për protestuesit që nuk duan të shkojnë në spitale ose klinika nga frika se mos zbulohen identitetet e tyre.
Për trajtimin e problemeve më frymëmarrjen për shkak të gazit lotsjellës, mjekët vullnetarë sugjerojnë përdorimin e barnave bimore.
Mbi 10,000 pako pluhur bimor janë shpërndarë që nga fundi i gushtit, për të trajtuar problemet.