Pse shkencëtarët janë kaq shumë të shqetësuar nga varianti “Kent” i Covid-it

I shfaqur për herë të parë në Kent të Mbretërisë së Bashkuar, varianti në fjalë i Covid-19 duket se po mban nën alarm shkencëtarët ndërkombëtarë. Nisur nga çfarë raportohet në studimin më të fundit, lloji në fjalë mund të jetë shumë më infektues dhe të qëndrojë për një kohë më të gjatë te njerëzit.

Mutacioni B.1.1.7 është pikasur deri më sot në 50 vende të ndryshme, teksa mendohet të ketë evoluar gjatë gjithë kësaj kohë dhe të ketë mundur të shndërrohet në 70 përqind më infektues sesa virusi fillestar. Sipas studiuesve të Universitetit të Harvardit, ky koronavirus është më i vështirë për t’u kuruar dhe e përkeqëson gjendjen shëndëtsore të të infektuarit për një kohë relativisht të gjatë. Studimi në fjalë vuri re se teksa pacientët me simptoma të mesme dhe të infektuar me koronavirusin e parë qëndruan të sëmurë për tetë ditë, ata me mutacionin “Kent” shfaqën probleme për 13 ditë me radhë.

Varianti Kent u zbulua për herë të parë në shtator të vitit 2020. Përpos faktit se duket të jetë më infektues, ky lloj shfaq më shumë probabilitet për vdekshmëri. Mendohet se sasia e grimcave të virusit që dikush ka brenda tyre – e njohur si ngarkesa virale – përcakton se sa të sëmurë ata do të jenë. Studimet sugjerojnë gjithashtu se një ngarkesë e lartë virale i bën njerëzit më të prirur të infektojnë të tjerët.

SHKARKO APP