Putin i përgjigjet deklaratës së Biden: Qofsh mirë me shëndet
Presidenti Joe Biden ka hequr dorezat diplomatike kur vjen fjala te presidenti rus Vladimir Putin. Ai është një “vrasës” dhe Rusia do të paguajë për dyshimet që janë ngritur mbi ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë me ABC Neës.
Presidenti amerikan i bëri këto komente në të njëjtën kohë që doli dhe raporti i komunitetit amerikan të inteligjencës që thotë se kreu i Kremlinit urdhëroi operacione për të dëmtuar kandidaturën e Biden në presidenciale, duke favorizuar ish-Presidentin Donald Trump.
Mediet amerikane shkruajnë se një ndër operacionet ka të bëjë me shpërndarjen e informacioneve për të birin e presidentit, Hunter Biden. Po ashtu, komuniteti i inteligjencës thotë se lideri rus bëri të njëjtën gjë në vitin 2016 kundër kandidates së atëhershme demokrate Hillary Klinton.
“Putini “do të paguajë çmimin” për ndërhyrjet,” tha Biden.
Shefi i Zyrës Ovale tha se gjatë bisedës me homologun rus i kishte thënë se: “unë të njoh ty dhe ti më njeh mua. Nëse vërtetohet se kjo ka ndodhur, atëherë jini të përgatitur. ”
Duke reaguar ndaj deklaratës së Presidentit Amerikan Joe Biden, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i uroi liderit Amerikan shëndet.
“Sa për deklaratën e kolegut tim amerikan, ne me të vërtetë, siç tha ai, e njohim njeri-tjetrin personalisht. Çfarë do t’i përgjigjesha? Unë do t’i thoja: Qofsh mirë me shëndet!”, tha Putini.
Ndërkohë, pas kësaj deklarate të presidentit amerikan, rubla ruse pësoi rënie në bursat ndërkombëtare.