Putin i shqetësuar pas miratimit për përdorimin e armëve perëndimore brenda territorit rus

Vladimir Putin është i shqetësuar se miratimi nga Perëndimi i përdorimit të armëve të tyre nga Ukraina brenda territorit rus, mund të tronditë regjimin e tij.

Ish-zv.komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, thotë se objektivi përfundimtar i presidentit rus është ndryshimi i situatës gjeopolitike në Europë, ngjashëm me atë të vitit 1989, ku vendet e Europës Lindore, anëtare të NATO-s, të paktën të jenë neutrale ushtarakisht.

Por planet e tij mund të prishen. “Përdorimi i armëve nga Ukraina, pavarësisht se kush është prodhues i tyre, brenda territorit rus, nuk përbën të cenim të të drejtës ndërkombëtare”, tha Meçollari në A2 CNN.

“Thelbi është që goditja brenda territorit rus, do të minojë ose do të bëjë të pamundur mbajtjen e premtimit të presidentit rus, i cili u rizgjodh president duke garantuar sigurinë e popullit rus dhe goditja e infrastrukturës ushtarake që mund të cenojë edhe popullsinë, ndoshta si dëm anësor, krijon probleme sigurie brenda rusisë.

Do të ketë efektin e saj edhe në moralin e popullit rus, në mbështetje të Vladimir Putin. Ka mungesë informacioni të theksuar, por e gjithë kjo retorikë e shtuar e Rusisë na jep të kuptojmë që Rusia është shqetësuar për këtë gjë, pasi kjo do të ketë impakt direkt në moralin e ushtrisë e popullit rus. Rusia nuk do të jetë më e sigurt”.

SHKARKO APP