Putin lëshon urdhrin e ri për ushtrinë në Ukrainë
Presidenti rus Vladimir Putin ka lëshuar një urdhër të ri për ushtrinë në Ukrainë.
Ai ka ndryshuar befas strategji sa i përket luftimeve. Urdhëri është i prerë: Të mos sulmohet në asnjëmënyrë fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol.
Në një takim televiziv, Putin tha se këto sulme nuk ishin të nevojshme, ndërsa i konsideroi si humbje kohe dhe ‘zvarritje’ për ushtrinë e tij. Në vend të kësaj, ai u bëri thirrje forcave të tij që të “bllokojnë këtë zonë industriale në mënyrë që as një ‘mizë’ të mos mund të shpëtojë”, raporton BBC.
Ai shtoi se do të ishte “jopraktike” të sulmohej zona e madhe industriale, ku thuhet se kanë mbetur më shumë se 2,000 ushtarakë ukrainas dhe vendimi po merrej për të mbrojtur jetën e ushtarëve rusë.
Putin gjithashtu përshëndeti “çlirimin” e Mariupolit nga Rusia pasi ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu i tha atij se forcat ruse tani kontrollojnë qytetin port ukrainas, përveç uzinës.
Më herët ushtria ruse kishte vendosur ultimatum për ukrainasit në uzinë se nëse nuk dorëzoheshin do të goditeshin ‘pa mëshirë’ me raketa. Por duket se vendimi për sulmin ka ndryshuar.