Putin mbron Presidentin Trump: Nuk e shkarkojnë dot!

Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se procesi i shkarkimit të Donald Trumpit është i mbështetur i gjithi në akuza “të sajuara”. Duke folur në Moskë, në konferencën e tij vjetore për mediat, shefi I Kremlinit tha se pret që Trump të mbetet në detyrë, pavarësisht se Dhoma e Përfaqësuesve votoi pro akuzave ndaj tij.

”Procesi ende duhet të kalojë në Senat ku republikanët me sa di unë e kanë shumicën. Partia që humbi zgjedhjet thjesht po e vazhdon luftën me mënyra të tjera”, ka qenë komenti i tij. Me këtë pohim të fundit, Putin iu referua Partisë Demokrate në SHBA.

Dhoma e kontrolluar nga demokratët, votoi për dy akuza kundër Trumpit: abuzim pushteti dhe pengim të punës së Kongresit, por vendimi përfundimtar, për shkarkimin pritet të merret në Senatin e kontrolluar nga republikanët. Putin e krahasoi procesin për shkarkimin e Trumpit, me hetimet e mëhershme ndaj presidentit amerikan lidhur me pretendimet për bashkëpunim me Rusinë, edhe këto kreut të shtetit rus, të pabazuara.

Në një konferencë për shtyp të mbuluar nga një numër rekord gazetarësh të akredituar ruse e te huaj, gati 1900, Putin tha gjithashtu se Rusia është e gatshme të bjerë dakord për një traktat të ri të armëve me Shtetet e Bashkuara, por shtoi se për propozimet ruse, deri tani nuk ka pasur ende një përgjigje. Konferenca televizive është një ngjarje e rregullt e Putinit, të cilën ai e shfrytëzon për të lartësuar imazhin e tij, për të siguruar rusët se ata janë në duar të mira dhe për t’iu dërguar sinjale Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës.

SHKARKO APP