Putin synon amnisti të përjetshme
Dhoma e ulët e parlamentit rus ka miratuar në parim një projektligj që u siguron amnisti të përjetshme presidentëve rusë dhe familjarëve të tyre pasi ata largohen nga detyra.
Sipas propozimit, ish-presidentët nuk mund të jenë objekt i hetimit, i konfiskimit pronësor apo i proceseve policore gjatë gjithë jetës, përveçse kur akuzohen për tradhti ndaj shtetit dhe krime të tjera të rënda.
Një nga autorët e projektligjit tha se qëllimi është t’i garantohet stabiliteti shtetit dhe shoqërisë.
Presidenti aktual, Vladimir Putin, i mbaron mandati në vitin 2024, dhe ai së bashku me ish-kryeshtetarin aleat, Dmitri Medvedev, janë të vetmit që mund të përfitonin nga ligji.
Ligji do diskutohet edhe në dhomën e lartë parlamentare përpara se të firmoset nga kreu i shtetit.
Ditën e martë, tre ligjvënës propozuan edhe një ligj që lejon presidentin Putin të qëndrojë në detyrë për 2 mandate të tjera 6-vjeçare deri në vitin 2036.
Ndërkohë për presidentët e ardhshëm rusë janë parashtruar një sërë kërkesash: ata duhet të jenë mbi 35 vjeç, të kenë jetuar për 25 vitet e fundit brenda vendit dhe të mos kenë mbajtur shtetësi tjetër të huaj përveçse nga gadishulli i Krimesë që iu aneksua Ukrainës në 2014-n.
Të dyja amendimet kushtetuese ishin pjesë e propozimeve të hedhura në referendum popullor në javën e fundit të qershorit, dhe u miratuan masivisht nga rreth 80 përqind e qytetarëve.
68-vjeçari Putin ka udhëhequr politikën ruse si kryeministër dhe si president që nga viti 1999.