Putini bisedë telefonike me Vuçiç: Do ta mbështesim Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një bisedë telefonike me homologun e Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka shprehur mbështetjen e tij sa i takon çështjes së lënë pezull me Kosovën. Mësohet se Putin është shprehur për Kosovën se “do të bisedojë sy më sy me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në javën e ardhshme në Moskë”.
Vuçiçi do të jetë i pranishëm në Paradën e Fitores në Moskë, më 24 qershor, me të cilën do të shënohet 75-vjetori i fitores mbi fashizmin, ndërkaq që nga kabineti i presidentit Vuçiq është thënë që ai e ka falënderuar Putinin “për mbështetjen aktive të Rusisë për interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë, mbi parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe drejtësisë”. Vuçiç, citohet t’i ketë thënë Putinit që është nder i madh për të që të marrë pjesë në Paradën e fitores “sepse krenohet me faktin që populli serb dhe ai rus, në Luftën e Dytë Botërore kanë qenë në anën e njëjtë liridashëse”.
“Prandaj, nuk ka detyrë më të rëndësishme se sa ruajtja e kujtimit për historinë e lavdishme dhe të vërtetës për luftën, e cila sjellë lirinë dhe paqen. Presidenti Putin ka konfirmuar që sërish do të vizitojë Serbinë, për të qenë i pranishëm në ceremoninë qendrore shtetërorë për shenjtërimin e tempullit të Shën Savës dhe ka theksuar që Rusia do t’i ndihmojë interesat e Serbisë dhe do t’i mbrojë interesat e Kishës Ortodokse Serbe”,- thuhet në komunikatën e Presidencës së Serbisë. Vuçiç, siç është thënë, ka theksuar që Rusia; “kontribuoi jashtëzakonisht shumë për përfundimin e tempullit më të madh ortodoks në Serbi, duke e bërë atë si një nga simbolet e afërsisë së dy shteteve dhe dy popujve”.
Në fund të komunikatës, është theksuar që edhe Putin “ka shprehur besimin për fitoren e listës, të cilës, në zgjedhjet e ardhshme, i prin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.