Qeveria greke forcon masat kundër koronavirusit dhe akordon 3.8 miliardë euro në ndihmë të biznesit

Qeveria greke pritet të miratojë një buxhet 3.8 miliardë euro në mbështetje të biznesit dhe stabilitetin e ekonomisë greke sa i takon situatës që po kalon vendi për shkak të koronavirsit. Sipas ministrit të Ekonomisë, Christos Staikuras, nga kjo shumë, 2 miliardë euro është buxhet i shtetit grek dhe 1.8 mld nga Banka Europiane pas vendimit të së hënës, në mbledhjen e Eurogroup.

Po ashtu masat e qeverisë parashikojnë shtyrje afatesh të detyrimeve tatimore e bankare, kompensim 2-mujor deri në 60% i qirave të bizneseve që kanë xhiro të ulët apo mbyllen, ulje të TVSH në produktet e higjienës, kompensim 800 euro dhe shlyerje e plotë e sigurimeve shoqërore për rrogëtarët e bizneseve me xhiro të ulët ose të mbyllura. Po ashtu parashikohet dhe subvencionim i kësteve të kredive për biznes, shtyrje 6 muaj të kësteve së kredive për kapital biznesi, mekanizëm shtesë subvencionimi për ri-investimin dhe ripërtëritjen e biznesit të mesëm e të vogël, rriten fondet e kredive për biznes me kompensim të këstit për 2 vjet.

Të gjitha masat vlejnë vetëm nëse nuk përjashtohet asnjë punëtor nga puna, ndryshe biznesi përjashtohet nga çdo fond e mbështetje. Ndërkohë, për të papunët, të regjistruar në OAED, Institutin e Punësimit të Fuqisë Punëtore, janë shtyrë asistencat e papunësisë për të gjitha kategoritë, deri në një informacion të ri. Nga 25 shkurt deri në 13 mars janë shlyer 230 milionë euro detyrime të shtetit ndaj biznesit, personave fizikë e juridikë, procedura vijon. Ndërkohë, parashikohet gjobë deri në 1 milionë euro për çdo spekulim me produkte higjienike të shumëkërkuara.

Bankat greke funksionojnë, por shpallen procedurat që do lejohen në njësitë bankare dhe ato që do kryhen vetëm në formë elektronike. Zëdhënësi i Qeverisë, Stelios Petsas, ka deklaruar se ndër masat e reja që shtohen nga sot është dhe ndalimi i mbledhjes mbi 10 persona në shtëpi, për shoqëri e argëtim. Një tjetër masë e rëndësishme janë ekipet mjekësore që do të vizitojnë të dyshuarit për koronavirus në shtëpi për të kryer testin, 500 ekipe të tilla do të aktivizohen urgjentisht. Së fundi, Greqia sot numëron 387 të prekur dhe 5 të vdekur, 70 pacientë kurohen në spital, 11 në terapi intensive dhe gjithsej 14 janë fletëdaljet nga spitali.

SHKARKO APP