Qeveria italiane vendos: Kishat rihapin dyert më 18 maj
Kishat italiane do të hapen nga 18 maji, njoftoi qeveria e vendit në një deklaratë të përbashkët me Konferencën Episkopale Italiane (CEI).
Sipas deklaratës, CEI arriti një marrëveshje me qeverinë, sipas të cilës kishat do të vendosin masa paraprake kundër përhapjes së mundshme të koronavirusit.
Stafi do të qëndrojë në hyrjet e kishave për të siguruar që adhuruesit të respektojnë distancën e duhur nga njëri tjetri.
Gjithashtu ato do të pastrohen, posaçërisht për të siguruar higjienë maksimale.
Kisha katolike italiane protestoi me forcë kundër vendimit të qeverisë për të shtyrë rifillimin e meshave, pavarësisht lehtësimit të kufizimeve të tjera në jetën publike.
Ministria e Brendshme njoftoi se ishte në diskutime me komunitetet e tjera fetare të Italisë, lidhur me marrjen e masave të ngjashme për të rifilluar adhurimin në objektet e kultit.