Qielli bëhet portokalli, krijohen re e vetëtima
Qielli u bë portokalli në Australi, pasi më shumë se 90 vatra zjarri po digjen në Uellsin e Ri Jugor, ndërsa mbi 1 mijë zjarrfikës po luftojnë me flakët që ushqehen nga thatësira, temperaturat e larta dhe erërat e forta. Ekspertët thonë se disa prej tyre po krijojnë kushtet e veta të motit, përfshirë të ashtuquajturat retë e zjarrit që mund te prodhojnë vetëtima por pa shi.
Ka raportime për persona të bllokuar nëpër banesa, ndërsa ekipet e shpëtimit nuk arrijnë dot atje për shkak të fuqisë së zjarreve. “Fatkeqësisht jemi në territor të pasigurt. Nuk kemi parë kurrë kaq shumë zjarre dhe situata të tillë. 90 zjarre vazhdojnë të digjen, 50 nga të cilat janë jashtë kontrollit”, tha Shane Fitzsimmons, departamenti zjarrfikës.
Autoritetet paralajmërojnë qytetarët të kërkojnë vendstrehime të sigurta kundër zjarrit në vend që të largohen, pasi sipas tyre është shumë vonë për të ikur. Paralajmërime për gjendje emergjence u lëshuan edhe në Kuinsland dhe Australinë Perëndimore, ku gjithashtu janë krijuar disa vatra. Në Uellsin e ri jugor, zjarrfikësit po luftojnë me flakët që prej shtatorit.