Referendumi në Turqi, a do të krijojë Erdogan një diktaturë?
Turqia zhvillon të dielën një referendum kushtetues, ku votuesit do të pyeten nëse dëshirojnë apo jo të kalojnë nga sistemi i tanishëm parlamentar në një presidencë të fuqishme me kompetenca ekzekutive.
Turqit janë të ndarë për këtë çështje: Kritikët e akuzojnë presidentin Rexhep Tajip Erdogan se po përpiqet të krijojë një diktaturë, ndërsa mbështetësit e tij thonë se ndryshimet e mundshme përfaqësojnë vullnetin e popullit.
*Selina Ozuzun Dogan-CNN (Opinion)
Që nga përpjekja e dështuar e verës së kaluar për të përmbysur Presidentin Turk, Rexhep Tajip Erdogan, vendi ka rrëshqitur drejt një sistemi Presidencial në dukje të pashmangshëm. Partia qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim, ose AKP, që nga ajo kohë ka diskredituar qëllimisht dhe paralizuar Parlamentin Turk. Asnjë nga propozimet e opozitës në parlament nuk janë marrë në konsideratë. Parlamenti në vend është përdorur si një mekanizëm votimi për të imponuar axhendën e AKP-së.
Pas grushtit të dështuar, qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Kur kanë kaluar nëntë muaj, në këto rrethana të jashtëzakonshme, vendi do të përballet me një referendum mbi reformën kushtetuese këtë fundjavë. Që nga zbatimi i tij, AKP-ja ka abuzuar me gjendjen e jashtëzakonshme, duke marrë vendime të përhershme përmes ligjeve të dekretit.
Erdogan ka humbur çdo ndjenjë të paanshmërisë që nga zgjedhjet e qershorit 2015, ku AKP-ja humbi shumicën parlamentare, duke e detyruar atë që të thërriste një zgjedhje të parakohshme të dytë katër muaj më vonë. Tani ai vepron vetëm në interesat e partisë së tij. Ai po përdor gjendjen e jashtëzakonshme për të kontrolluar mediat, sistemin gjyqësor, parlamentin e Turqisë dhe burokracinë.
Kjo, përveçëse është arsyeja pse mbështetësit e referendumit të tij janë për “PO”, ku thonë se Turqia duhet të votojë pro, që të legalizojë atë që është bërë një sistem de facto Presidencial. Demokracia do të thotë të kesh kontrolle dhe balancime. Nëse kalon referendumi, nuk do të ketë më asgjë të tillë.
Fushata e referendumit na ka dhënë një ide se çfarë mund të presim nëse Turqia do të votojë “Po”. Erdogan i ka pikturuar ata që i kundërvihen reformave të tij, si përkrahës të PKK-së, ose si të lidhur me Fethullah Gulen.
Partia ime, Partia Republikane Popullore ose CHP, që kundërshton referendumin, nuk pretendon se sistemi parlamentar i Turqisë është i përsosur, ku në të vërtetë ne do të donim të shihnim përmirësime që lejojnë një qeveri më të qëndrueshme. Por, duke bërë këto përmirësime, nuk do të jetë e mundur nëse nuk kemi një ndarje të shëndoshë të pushteteve që i lejon parlamentit të mbajë Presidentin në llogari dhe e detyron Presidentin të veprojë në mënyrë të paanshme.
Ja pse unë do të votoj kundër të dielën:
Një sistem demokratik, i vërtetë Presidencial, mbështetet në ndarjen e pushteteve. Legjislatura, ekzekutivi dhe gjyqësia, duhet të ndahen plotësisht me një sistem kontrolli dhe balancimi mes tyre. Ajo që propozon AKP-ja është që të gjitha këto fuqi të jenë të përqendruara në duart e një personi: Presidenti i Republikës. Ky sistem nuk është një Sistem Presidencial. Kjo është një diktaturë.
Përkundër të metave të saj, Turqia aktualisht është një Republikë Demokratike. Amandamentet e propozuara nga Erdogan nuk synojnë të riparojnë demokracinë tonë por ti japin Presidentit një fuqi të plotë.
Zgjedhjet Presidenciale nuk janë në vetvete një mekanizëm i mjaftueshëm për dhënien e pushtetit të plotë ndaj një kreu të shtetit. Presidenti zgjidhet duke fituar shumicën e votave. Kjo do të thotë se ai ose ajo mund të zgjidhet nga jo më pak se 51% e deputetëve. Ndërsa ai ose ajo që ka lidhje partiake politike, është e qartë se do të përfaqësojë një pikëpamje të caktuar politike, jo njerëzit në tërësi.
Parlamenti përbëhet nga anëtarë të partive qeverisëse dhe opozitare, kështu që përfaqëson me saktësi vendin në tërësi. Kjo do të thotë që parlamenti mund t’i shqyrtojë veprimet e Presidentit nëpërmjet prizmit të asaj, që ne konsiderojmë të jetë në interes të njerëzve që na përfaqësojmë në parlament.
Sipas sistemit ekzistues, detyrat ekzekutive ndahen midis Presidentit dhe Këshillit të Ministrave (Kryeministrit dhe Ministrave). Këshilli i Ministrave ka përgjegjësi ekzekutive. Sipas sistemit të propozuar, kompetencat ekzekutive janë të Presidentit të Republikës. Akti i qeverisjes i jepet vetëm Presidentit.
Nëse Turqia voton “PO” këtë fundjavë, zyra e Kryeministrit do të shfuqizohet. Këshilli i Ministrave gjithashtu do të shfuqizohet. Ministritë e tyre nuk do të ekzistojnë më.
Presidenti do të lejohet të emërojë nënkryetarët në diskrecionin e tij, pa kërkuar pëlqimin parlamentar. Gjithashtu do të bëhet pothuajse e pamundur që të fajësohet një President, ku kushtetuta kërkon që një e treta e parlamentit të propozojë fajësinë dhe tre të katërtat ta miratojnë atë. Por pa Kryeministrin dhe Presidentin që vepron si kryetar i partisë në shumicë, Presidenti do të kontrollojë vetë grupin parlamentar, duke bërë të pamundur arritjen e numrave të nevojshëm.
Si President i Republikës me lidhjet e partive politike, ai do të emërojë kandidatë për parlamentin dhe për këtë arsye do të ndryshojë përbërjen e asamblesë. Ai gjithashtu do të jetë në gjendje të hartojë gjyqësorin siç e sheh të arsyeshme: emërimin e vetë anëtarëve të Këshillit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Nëse Turqia voton “PO” këtë fundjavë, jo vetëm që një President që ka abuzuar me gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka prishur çdo opozitë politike, do i dorëzohet më shumë pushtet se çdo udhëheqësi të zgjedhur në mënyrë demokratike por atij do t’i jepet gjithashtu autoritet për të ndryshuar gjendjen rreth tij.
Para votimit të dielën, populli turk duhet të pyesë veten, nëse ata janë të pakënaqur me gjendjen aktuale të demokracisë turke dhe a do të jenë më të lumtur nëse ja dorëzojnë autoritetin e plotë një njeriu të paprekshëm?
*Autori i Shkrimit/Selina Ozuzun Dogan është anëtare e Asamblesë së Madhe Turke, e Partisë Popullore Republikane. Ajo po bën fushatë për një votë “JO” në referendumin e Turqisë mbi reformën kushtetuese të dielën. Mendimet në këtë artikull i përkasin autorit.
Titulli i shkrimit në origjinal është: Pse Turqia duhet të votojë Jo
Përshtati në shqip: Redjon Shtylla/Koha Jonë
KOHA JONË SONDAZH

