Reforma në drejtësi edhe në Rumani, kritikët e kundërshtojnë si “puç parlamentar”
Pas Polonisë e Hungarisë, edhe Rumania është e vendosur të reformojë sistemin gjyqësor, pavarësisht kritikave nga brenda vendit dhe jashtë. Tashmë, mbetet në dorë të Presidentit rumun vendosja e hyrjes në fuqi të reformës ose jo.
Reformimi i sistemit gjyqësor është kthyer në kryefjalën e politikës rumune. Prej javësh, dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar përqark mbarë vendit, të bashkuar nën besimin se reforma e diskutueshme në drejtësi kërcënon shtetin, demokracinë, vlerat dhe idealet europiane në Rumani.
Por teksa parlamenti ka votuar pro ndryshimeve në sistemin e drejtësisë, vetëm presidenti Klaus Iohannis ose presioni nga jashtë mund të ndalojë reformën.
E përshkruar nga kritikët si një “grusht parlamentar” kundër gjyqësorit, reforma përfshin një sërë ndyshimesh në kodin penal dhe kodin e procedimit kriminal.
Masat i garantojnë qeverisë mundësi më të mëdha politike për të ndikuar mbi sistemin gjyqësor, ndërkohë që kufizojnë pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, duke rrezikuar kështu ndarjen e pushteteve.
Por ndryshe nga Polonia, ku Bashkimi Europian ka filluar të procedojë me sanksione, reagimi ndaj reformës në drejtësi në Rumani ka qenë më i mbytur.
Deri më tani, Brukseli vetëm ka shprehur shqetësim, ashtu si Departamenti Amerikan i Shtetit dhe shtete individuale të Bashkimit Europian, të cilat kanë kritikuar reformën.
Por deri më tani, presioni nga jashtë nuk duket të ketë patur ndikim mbi lidershipin rumun.

