Refugjatët në SHBA, Biden katërfishon kuotën e vendosur nga Trump
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka rritur zyrtarisht kuotën e pranimit të refugjatëve ne vend, nga 15 mijë në 62 mijë. Vendimi u mor pas kritikave nga të dyja partitë për vonesën në zëvendësimin e kufirit tejet të ulët të vendosur nga paraardhësi Donald Trump. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se shifrat e mëparshme nuk i reflektonin vlerat e Amerikës.
“Është e rëndësishme të ndërmarrim këtë veprim sot për të hequr çdo dyshim në mendjet e refugjatëve në të gjithë botën, që kanë vuajtur kaq shumë dhe që presin me padurim të fillojnë jetën e tyre të re”, u shpreh Biden.
Agjencitë për strehimin e refugjatëve kanë pritur që presidenti Biden të katërfishojë numrin e refugjatëve që do të lejohen në Shtetet e Bashkuara këtë vit që nga 12 shkurti, kur në Kongres u paraqit një propozim presidencial, ku theksohej se ai planifikonte ta bënte një gjë të tillë.
Por ky angazhim kishte mbetur pa u zyrtarizuar deri të hënën. Sipas raportimeve, presidenti ishte i shqetësuar të lejonte hyrjen e më shumë refugjatëve, mes fluksit rekord në kufirin me Meksikën.