Rekord viktimash nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut, kjo shifër nuk ishte regjistruar asnjëherë në vendin fqinj
Maqedonia e Veriut të mërkurën ka regjistruar 46 viktima me COVID-19, që paraqet shifër rekord të të vdekurve brenda një dite, që nga paraqitja e rastit të parë me koronavirusin e ri, në shkurt të vitit 2020.
Viktimat janë 19 nga Shkupi, 5 në Prilep, nga 3 në Strugë, Ohër dhe Strumicë, në Tetovë dhe Kërcovë nga 2 ndërsa numër më i vogël në 9 qytete tjera.
Numri i përgjithshëm i viktimave tani ka arritur në 2.023, prej tyre 636 janë në Shkup, 168 në Tetovë, 157 në Prilep, 143 në Kumanovë, 116 në Gostivar, Veles 107, Strugë 106 ndërsa numër më i vogël se 100 të vdekur në 25 qytete tjera.
Numri i lartë i vdekjeve është edhe si rezultat i protokolleve që Ministria e Shëndetësisë po zbaton në rastin e sëmundjes COVID-19. Në Maqedoninë e Veriut të gjitha personat që vdesin si pasojë e sëmundjeve tjera, por që janë të diagnostikuar edhe me COVID-19, regjistrohen si të vdekur nga koronavirusi.
“Në fillim të pandemisë vendosëm që të gjithë njerëzit që vdesin nga ndonjë sëmundje tjetër, t’i regjistrojmë me COVID-19, pasi në analizat pas vdekjes, kishin rezultuar si të infektuar me koronavirusin e ri. Ata nuk kanë humbur jetën me fajin e mjekëve pasi një numër i lartë i të vdekurve janë sjellë në spitale shumë vonë, dhe disa prej tyre kanë vdekur rrugës për në spital”, pati deklaruar mjeku infektolog, Zharko Karaxhoski, kryetar i Komisionit për Sëmundje Infektive.
Në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë diagnostikuar 69.954 persona, prej tyre 46.325 janë shëruar ndërsa 21.579 janë aktiv./rel