Republika Çeke mbyll kufijtë, Austria mbyll aktivitetet tregtare
Republika Çeke mbyll plotësisht kufijtë, Austria mbyll aktivitetet tregtare dhe pezullon fluturimet. Qeveria e Republikës Çeke ka njoftuar se duke nisur nga dita e hënë do të mbyllen kufijtë për të huajt që duan të hyjnë në vend dhe për çekët që duan të shkojnë jashtë vendit. Masa radikale ka të bëjë me përpjekjet e qeverisë për të frenuar përhapjen e Covid-19. Këto kufizime nuk zbatohen për të huajt që kanë leje qëndrimi të përhershëm ose leje qëndrimi që zgjasin më shumë se 90 ditë. Në Republikën Çeke deri tani ka patur 117 të infektuar dhe nuk janë regjistruar viktima. Kurse qeveria austriake ka urdhëruar mbylljen e të gjitha dyqaneve dhe lokaleve, me përjashtim të atyre të nevojave themelore, si ato ushqimore dhe farmacive, duke filluar nga e hëna, si dhe pezullimin e fluturimeve me disa vende europiane, në tentative për të frenuar epideminë e koronavirusit.