Reuters/ Ushtria i shtohet linjës prodhuese të ventiluesve, ndërsa kompanitë “luftojnë” me kërkesën “e çmendur” të tregut

Në 6 mars, Gianluca Preziosa, kreu i një kompanie të prodhimit të ventiluesve mori një kërkesë urgjente. Autoritetet italiane kërkuan ndihmën  e tij dhe një përpjekje të gjithanshme për të përmbushur nevojën e dëshpëruar për ventilues.

Ndërsa tani, kompanie e tij me bazë në Bolonja, “Siare Engineering International Group s.r.l” ka futur 25 teknikë të ushtrisë që punojnë me mbikqyrësit,  për të menaxhuar prodhimin e zgjeruar të ventiluesve dhe për të ndihmuar me makineritë e montimit. Po ashtu, sipas Preziosa-s, ushtria ka vënë në dispozicion personelin furnizues të kompanisë.

“Zakonisht prodhojmë 160 makineri në muaj. Qëllimi që kemi tani është të prodhojmë 2.000 për katër muaj, kështu që të trefishojmë prodhimin tonë mujor” tha Gianluca për Reuters, duke shtuat se kompanitë e përfshira në zinxhirin e furnizimit të prodhuesve të ventiluesve e kanë të vështirë dhe nuk mund t’i përgjigjen plotësisht kërkesës së madhe.

Siare zinte një qoshe normalisht të qetë të tregut të pajisjeve mjekësore, por që është gjendur në vijën e parë të krizës më të madhe shëndetësore të shekullit, të shkaktuar nga përhapja e shpejtë e COVID – 19.

Në disbalancën mes ofertës dhe kërkesës së tregut, qeveritë po ndihmohen nga ushtritë, madje kërkojnë edhe printerët 3D, me shpresën për të rritur prodhimin e makinerive të frymëmarrjes, të cilat janë makineri që potencialisht, shpëtojnë jetën. Në Itali, një ekip mjekësh ka gjetur një teknikë për të furnizuar me oksigjen dy pacientë, nëpërmjet të njejtit ventilues.

Ventiluesit, të cilët kushtojnë dhjetëra mijëra dollarë, janë pajisje mekanike të frymëmarrjes, që furnizojnë mushkëritë me oksigjen. Ato janë thelbësore për pacientët me probleme në mushkëri, e cila është një nga simptomat që pësojnë të infektuarit me COVID – 19, megjithatë, jo domosdoshmërisht i shpëtojnë njerëzit.

“Nëse një pacient me sëmundje kritike nuk merr një ventilator, ai vdes brenda disa orësh” tha Rahuldeb Sarkar, një mjek konsulent në mjekësinë e frymëmarrjes dhe kujdesin kritik në Britani.

Një nga prodhuesit më të mëdhenj të ventiluesve në botë, Hamilton Medical AG, me qendër në Zvicër, pret që të rrisë prodhimin në rreth 21.000 ventilues, nga 15.000 që ishin vitin e kaluar, duke vendosur edhe  stafin e marketingut në linjën e prodhimit, ndër masave të tjera. Por, me porositë e shumta, kompania përballet me vendime të vështira se ku t’i dërgojë ato.

Shefi ekzekutiv i Hamilton Medical, Andreas Wieland tha se  kompania po u jep përparësi atyre vendeve ku nevoja është më e keqe, veçanërisht Italia. Hamilton Medical dërgoi 400 ventilues në Itali dhe pret që së shpejti të dërgojë një dërgesë tjetër.

“Ne po mundohemi të mos shpërndajmë ventilues në një vend që thjesht po kërkon rezerva, ku praktikisht nuk ka virus, por duan që  të përgatiten. Po mundohemi t’u shërbejmë atyre që kanë nevoja urgjente më ekstreme” shtoi Wieland.

Tregu global i ventiluesve vlen më shumë se 1 miliardë dollarë në vit, sipas Hamilton Medical, i cili thotë se ka afërsisht një të katërtën e të ardhurave. Prodhuesit e tjerë të ventiluesve përfshijnë  “ResMed Inc”, me bazë në Shtetet e Bashkuara, “Getinge AB”, në Suedi, “Draegerwerk AG” të Gjermanisë, si  dhe “Pekin Aeonmed Co”, në Kinë. /Reuters/

SCAN

SHKARKO APP