Rikthehen kufizimet në një sërë shtetesh për shkak të përhapjes së variantit Delta
Varianti Delta, i identifikuar fillimisht në Indi, vijon “vrapin” nëpër botë dhe detyron një sërë shtetesh të rikthejnë kufizimet. Portugalia dhe Germania njoftojnë masa të reja sa i përket udhëtimeve në përpjekjen për të kufizuar përhapjen e variantit më të transmetueshëm të koronavirusit.
Nga e hëna, britanikët e pavaksinuar që udhëtojnë drejt Portugalisë do të karantinohen për dy javë, sipas një urdhëri të qeverisë portugeze. Sipas rregullave të reja, çdo kush që mbërrin në Portugali, nga ajri, toka apo deti do të duhet të provojë se është i vaksinuar plotësisht ose do të izolohet.
Masa ndërmerret pak pasi kancelarja Angela Merkel kritikoi Portugalinë por edhe Greqinë javën e kaluar, pasi lejuan turistë britanikë të hynin në vend, ndërsa po qarkullonte varianti Delta. Portugalia u bë vendi i parë europian që njoftoi se varianti Delta ishte tanimë dominues në territorin e vet.
Gjermania kufizoi udhëtimet nga Portugalia dhe Rusia pasi Insituti Robert Koch i klasifikoi këto vende si zona me përhapje të varianteve shqetësuese. Masa do të hyjë në fuqi të hënën.
Rusia po përjeton një valë vdekjeprurëse infektimesh që besohet të jetë e nxitur nga mutacioni indian, me qindra të vdekur çdo ditë.
Në Sidnei të Australisë, në izolim që prej së dielës, infektimet me variantin indian shkojnë në 128. Raste janë regjistruar edhe në territorin verior, Kuinslend dhe Australinë Perëndimore.
Izraeli po përjeton gjithashtu rritje të rasteve pas një fushate të suskesshme vaksinimi. Kryeministri Naftali Benet ftoi të rinjtë të vaksinohen, në mënyrë që të shmanget rikthimi i kufizimeve. Të shqetësuara janë edhe autoritetet greke, pas evidentimit të një rastesh të variantit Delta në ishullin e Kretës.