Rivendosen lidhjet Riad-Doha, takohet Princi saudit i Kurorës me emirin e Katarit
Pas tre vitesh konflikti dhe bllokade ekonomike, vendet e Gjirit rivendosin lidhjet diplomatike dhe ekonomike me Katarin. Në sfondin e rritjes së tensioneve me Iranin, Uashingtoni arriti një tjetër marrëveshje në Lindjen e Mesme. Arabia Saudite ka hequr sanksionet dhe ka hapur hapësirën ajrore dhe kufijtë me Katarin.
Udhëheqësit e vendeve të Gjirit u mblodhën në Arabinë Saudite të martën në përpjekje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes dhe tensioneve trevjeçare me Katarin në një kohë që janë rritur tensionet me Iranin.
Emiri i Katarit Sheiku Tamim bin Hamad al-Thani u takua në qytetin al-Ula me Princin Saudit të Kurorës Mohammed bin Salman.
Krahas samitit, Kuwait njoftoi se Arabia Saudite ka hequr sanksionet dhe ka hapur hapësirën ajrore dhe kufijtë sipas një marrëveshjeje që do të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë në praninë e këshilltarit të posaçëm Jared Kushner.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreni dhe Egjipti i ndërprenë lidhjet diplomatike me Katarin, pas dyshimeve se Doha po mbështeste terrorizmin.
Marrëveshja në fjalë është e fundit e arritur në Lindjen e Mesme nën presionin e Uashingtonin për të formuar një fron kundër Iranit, i cili sapo ka filluar pasurimin e uraniumit në nivelin 20%, duke shkelur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Ndërsa Riadi e njoftoi heqjen e bllokadës, tre vendet e tjera nuk janë shprehur ende. Në anën tjetër Katari do të tërheqë paditë që ka bërë në lidhje me bllokadën.
Diplomatët thanë se Arabia Saudite me këtë veprim synon t’i dërgojë një mesazh presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden se Riadi është i hapur për dialog.
Zoti Biden është zotuar të ushtrojë presion ndaj Mbretërisë në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut dhe luftën në Jemen.