Romeva: Zyrtarët katalanas “nuk do të ndjekin urdhrat e Madridit”
Teksa qeveria spanjolle bëhet gati të rivendosë kontrollin mbi Katalonjën, zëdhënësi i çështjeve të jashtme në qeverinë rajonale Raul Romeva, ka deklaruar se zyrtarët nuk do t’i bindet diktatit të Madridit. Sipas Romeva-s, populli dhe institucionet katalanase do të refuzojnë sundimin direkt të Madridit, pasi me vullnet të lirë ata votuan pro-pavarësisë.
Autoritetet katalanase nuk do të ndjekin urdhërat e qeverisë spanjolle, nëse Madridi këmbëngul të rivendosë kontrollin mbi rajonin separatist.
Kështu deklaroi për rrjetin britanik BBC, zëdhënësi i çështjeve të jashtme të qeverisë së Katalonjës, Raul Romeva.
Sipas tij, qeveria qendrore në Madrid duhet të njohë vullnetin e popullit katalan që votoi për pavarësinë.
Duke komentuar mundësinë e një sundimi direkt nga Spanja, ai shtoi: “Si mund të jetojë demokracia e Bashkimit Europian me këtë situatë dhe sa të besueshëm do të jenë ata nëse e lënë këtë gjë të ndodhë? Sepse mund t’ju them që njerëzit dhe institucionet në Katalonjë nuk do ta lënë të ndodhë.”
Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy lajmëroi planet e tij për të shkarkuar qeverinë rajonale të Katalonjës dhe për të kufizuar disa nga liritë e parlamentit katalan.
Senati spanjoll pritet të aprovojë këtë të premte masat e qeverisë, së bashku me propozimin për zgjedhje të reja rajonale.
Ndërkohë, në kundërpërgjigje të Madridit, partitë separatiste në Katalunjë pritet të mblidhen për të diskutuar planet e tyre.
Presidenti rajonal Carles Puigdemont tha se qeveria e tij nuk do ta pranojë sundimin direkt.
Rajoni zhvilloi një referendum për pavarësinë më 1 tetor, që u shpall ilegal nga Spanja.
Sipas qeverisë katalanase të udhëhequr nga Puigdemont, 90% e pjesëmarrësve votuan pro ndarjes nga Spanja.
KOHA JONË SONDAZH

